Kosova Postuar më 28 Tetor 2025, 19:26

Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet, Presidentja Osmani apel për kompromis politik

Nga SCAN TV

Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet, Presidentja Osmani apel për

Shoqëria civile në vend i bëri thirrje Presidentes kosovare Vjosa Osmani t’i bashkojë partitë politike për ta miratuar buxhetin e ri, pasi vendi rrezikon të mbetet pa buxhet.

Osmani do ta kërkojë këtë gjatë bisedimeve të ardhshme me partitë politike, tha për Radion Evropa e Lirë këshilltari i saj për media, Bekim Kupina. “Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, tha Kupina të martën. Ai shtoi se Osmani “do t'i inkurajojë” partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Osmani pritet t'i thërrasë për konsultime partitë politike së shpejti, pasi të dielën, mandatari i parë për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, dështoi t'i fitojë votat e nevojshme për një mandat të tretë.

Kosova e bëri Kuvendin e ri muaj më parë, por dështimi javën e kaluar për ta formuar një qeveri të re, ka rritur rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.

Në një letër drejtuar Osmanit, 21 organizata të shoqërisë civile thanë se mungesa e buxhetit të ri do të paralizonte pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve, administratës publike, për transferet sociale të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, realizimin e punëve publike, dhe më shumë. Këto organizata i propozuan presidentes, siç thanë, disa “rrugë të mundshme ligjore dhe të zbatueshme”. Ato kërkojnë që Qeveria në detyrë ta dorëzojë në Kuvend projektligjin e buxhetit për vitin 2026, apo Kuvendi i tanishëm të paktën ta votojë një zgjatje të buxhetit të tanishëm deri në fund të muajit mars 2026. Ato gjithashtu kërkojnë ratifikimin e Marrëveshjes me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, Marrëveshjes së Facilitetit, dhe Marrëveshjes së Huasë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat