Kosova Postuar më 3 Mars 2026, 18:49

Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve pas tensioneve në Lindjen e Mesme

Nga SCAN TV

Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve pas

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i karburanteve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë. Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro. Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë. Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi - ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent - standardi global i referencës - të rritet deri në 10 për qind më 1 mars. Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku. Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet. Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë. Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës. Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale. Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet. Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore. Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. Ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet të shqyrtojnë vazhdimin e masave mbrojtëse, për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të konsumatorit në kohë krize.

Rreziku i abuzimeve dhe roli i konkurrencës

Në situata krizash, paralajmërojnë njohësit e tregut, hapet edhe dera për abuzime. Eksperti i tregut të naftës, Jakup Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku që kompanitë t’i rrisin çmimet edhe për sasi të blera më herët me çmime më të ulëta. Sipas tij, inspektorati duhet të verifikojë kohën e importit dhe koston reale për të shmangur abuzimet. Edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) paralajmëron hetime për çdo ndryshim të dyshimtë të çmimeve, ose marrëveshje të mundshme mes operatorëve për përcaktim të njëjtë të tyre. Megjithatë, AKK-ja nuk i sqaroi REL-it se cilat masa konkrete do të ndërmerren, në rast se konstatohen shkelje.

Shtrenjtim zinxhir

Presioni nuk vjen vetëm nga nafta. Në bursën hungareze HUPX, nga e cila importon edhe Kosova, çmimi i energjisë elektrike u rrit nga rreth 60 euro për megavat-orë më 1 mars në 115 euro më 3 mars - pothuajse dyfishim brenda dy ditësh. Në të njëjtën kohë, çmimi referencë i gazit në Evropë u rrit për 33 për qind më 3 mars, pas një tjetër rritjeje prej rreth 50 për qind në fillim të javës. Një faktor shtesë ishte vendimi i kompanisë shtetërore të Katarit, QatarEnergy, për të ndalur prodhimin pas sulmeve ushtarake ndaj objekteve të saj.

Rritja e njëkohshme e naftës, energjisë dhe gazit krijon efekt zinxhir në ekonomi.

Sipas Gashit, ky shtrenjtim do t’i rrisë kostot e transportit, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve për kompanitë prodhuese dhe tregtare. “Derivatet e naftës janë pjesë esenciale e sektorit të energjisë - gjë që i bën ato jetike për çdo degë tjetër të ekonomisë”, thotë ai. Një paralajmërim të ngjashëm lëshoi edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK), e cila vlerësoi se rritja e çmimit të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në koston e transportit dhe prodhimit të produkteve ushqimore dhe shërbimeve bazë. Sipas saj, kjo situatë “do të rëndojë edhe më shumë koston e jetesës”, duke rritur rrezikun për një valë të re inflacioni. Në këtë kontekst, Dhoma propozoi që institucionet të shqyrtojnë uljen ose pezullimin e përkohshëm të disa taksave për bizneset më të prekura, si dhe rishikimin e barrës tatimore për produktet esenciale.

Masa të tilla, sipas saj, do të ndihmonin në amortizimin e goditjes te konsumatorët dhe në mbështetjen e prodhimit dhe eksportit vendor, në një periudhë pasigurie të theksuar ekonomike. Kjo situatë kujton, po ashtu, krizën e nisur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, kur çmimet globale të naftës, gazit dhe energjisë elektrike u rritën brenda ditësh. Asokohe, rritja e menjëhershme e çmimeve u përkthye direkt në shtrenjtim të karburanteve dhe produkteve bazë në Kosovë dhe gjetiu.

REL

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat