Kosova Postuar më 19 Prill 2025, 10:19

Kosova hedh hapin e parë drejt energjisë së rinovueshme - Tri kompani ndërkombëtare kualifikohen për ndërtimin e impiantit të erës

Nga Scan TV

Kosova hedh hapin e parë drejt energjisë së rinovueshme - Tri

Kosova ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të energjisë së ripërtërishme, me kualifikimin me sukses të tri kompanive ndërkombëtare për fazën e dytë të ankandit të parë për ndërtimin e një impianti të erës me kapacitet prej 100 megavatësh.

Pas shpalljes së ankandit, të përkrahur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, më 20 shkurt janë pranuar aplikimet e tri kompanive: Akuo Energy (Francë), Güriş (Turqi) dhe Konsorciumi Notus/Stublla Energy (Gjermani dhe Kosovë). Komisioni vlerësues ka konfirmuar se të tri kompanitë kanë plotësuar të gjitha kriteret ligjore, teknike dhe financiare për këtë fazë, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së tyre në fazën e dytë të procesit – atë të dorëzimit të propozimeve të plota.

Ministria e Ekonomisë njoftoi se në ditët në vijim do të shpallë Kërkesën për Propozime për këto kompani të kualifikuara, një proces që do të zgjasë rreth gjashtë muaj dhe që do të zhvillohet sipas standardeve më të larta të transparencës.

Gjatë kësaj periudhe do të mbahet konferenca e para-ofertimit me kompanitë e kualifikuara, ku do të prezantohet struktura e projektit dhe marrëveshjet kontraktuale. Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesit do të jetë çmimi më i ulët për megavat-orë, duke respektuar kufirin e përcaktuar nga rregullatori.

Ky projekt shënon një tjetër hap drejt ndërtimit të një sistemi energjetik modern, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për qytetarët, ndërsa përfaqëson përkushtimin për rritjen e burimeve të energjisë së pastër.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat