Kosova Postuar më 11 September 2026, 10:03

Inflacioni në Kosovë, 7.3% - Transporti dhe energjia kryesojnë rritjen e çmimeve në gusht

Nga Edel Strazimiri

Inflacioni në Kosovë, 7.3% - Transporti dhe energjia kryesojnë

Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur ndjeshëm gjatë muajit gusht, duke shënuar një rritje vjetore prej 7,3%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm gjatë gushtit çmimet u rritën me 1,3% krahasuar me korrikun.

Rritja vjetore është ndikuar veçanërisht nga transporti, ku çmimet u rritën me 21,1%. Pas tij renditet grupi i banimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me një rritje prej 11,8%.

Rritje janë regjistruar edhe në restorante dhe shërbime akomodimi, me 5,4%, ndërsa çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit u rritën me 5,1%. Shëndetësia shënoi një rritje prej 4,2%, ndërsa kujdesi personal dhe shërbimet e tjera u shtrenjtuan me 3,8%.

Në rritje kanë qenë gjithashtu çmimet e mobilieve dhe pajisjeve shtëpiake, me 3,4%, argëtimi, sportit dhe kulturës me 3,4%, veshjeve dhe këpucëve me 3%, si dhe ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 2,6%.

Ndërkohë, një rënie e lehtë prej 0,5% është regjistruar vetëm në grupin e shërbimeve arsimore.

Krahasuar me korrikun, inflacioni mujor në gusht ishte 1,3%. Edhe në këtë rast, ndikimin më të madh e pati transporti, me një rritje prej 4,6%.

Çmimet e banimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse u rritën me 0,8%, ndërsa mobiliet dhe pajisjet shtëpiake me 0,5%.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 0,4%, po aq sa shëndetësia, informacioni dhe komunikimi, si dhe argëtimi, sporti dhe kultura.

Rritje më të moderuara u regjistruan në restorante dhe akomodim, me 0,3%, ndërsa pijet alkoolike dhe duhani, veshjet dhe këpucët, si dhe shërbimet e kujdesit personal shënuan rritje prej 0,1%.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat