Lajme Postuar më 12 Dhjetor 2025, 16:40

Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku

Nga SCAN TV

Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë zëvendëskryeministren

Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), të cilat kishin urdhëruar pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Si pasojë e këtij vendimi, Balluku rikthehet në ushtrimin e plotë të detyrës së saj qeveritare.

Vendimi u mor  gjatë shqyrtimit paraprak të një kërkese të paraqitur nga Kryeministri i  Shqipërisë, i cili kishte kërkuar zgjidhjen e një konflikti kompetencash mes ekzekutivit dhe GJKKO-së, lidhur me të drejtën për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave.

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë efektet e vendimeve nr. 118 dhe nr. 120 të GJKKO-së, për pjesën që parashikonin masën ndaluese “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Kjo do të thotë se masa e pezullimit nuk zbatohet më deri në përfundimin e gjykimit kushtetues, duke i hapur rrugë rikthimit të Ballukut në detyrë.

Gjykata vlerësoi se çështja ka interes të lartë publik, pasi lidhet drejtpërdrejt me ndarjen e pushteteve dhe me mënyrën se si Kushtetuta përcakton kompetencat për emërimin, shkarkimin dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së ministrave. Për këtë arsye, ajo vendosi që çështja të shqyrtohet në seancë plenare publike.

Në seancë do të thirren si subjekte të interesuara Prokuroria e Posaçme (SPAK), GJKKO-ja, Kuvendi i Shqipërisë dhe Presidenti i Republikës. Ndërkohë, kërkesat e dy subjekteve të tjera për t’u përfshirë në proces u rrëzuan, me arsyetimin se nuk kishin interes kushtetues në këtë konflikt kompetencash.

Seanca plenare publike e Gjykatës Kushtetuese është caktuar të mbahet më 22 janar 2026, në orën 10:00. Deri në marrjen e vendimit përfundimtar, Belinda Balluku do të vijojë ushtrimin e funksioneve të saj si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat