Lajme Postuar më 28 Tetor 2025, 16:16

Forumi Global i Inovacionit dhe Teknologjisë - Rama: BE shqetësohet për armatim dhe nuk ka plan për paqen!

Nga SCAN TV

Forumi Global i Inovacionit dhe Teknologjisë - Rama: BE shqetësohet

Kryeministri Rama mori pjesë sot në punimet e edicionit të 9-të Forumit “Future Investment Initiative”, - një prej platformave më të rëndësishme globale për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme, të mbajtur në Riad, Arabinë Saudite, ku zhvilloi në këtë kuadër, edhe disa takime me drejtues të Forumit, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare dhe drejtues kompanish prestigjoze me potenciale të rëndësishme për investime, në fusha me interes të ndërsjellë për vendet.

Kryeministri ishte i ftuar në panelin e diskutimit “A po shkon njerëzimi në drejtimin e duhur?” një bashkëbisedim mbi sfidat me të cilat po përballet njerëzimi dhe ndikimin ne brezat e ardhshëm, ku morën pjesë Presidenti i Republikës së Ruandës Paul Kagame; Presidenti i Republikës Kooperative të Guajanës Mohamed Irfaan Ali; Kryeministri i Republikës Islamike të Pakistanit Muhammad Shahbaz Sharif; Themeluesi, Mentori CIO dhe Anëtarii i Bordit të Bridgewater Associates, dhe Themeluesi i Dalio Family Office Ray Dalio; si dhe Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino.

Paneli u moderua nga Richard Attias, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe CEO, Instituti FII.

Richard Attias: Do të vijë edhe Shkëlqesia e Tij, Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Në fakt, nuk mund të mos e shihni se është udhëheqësi më i gjatë në Evropë, e ndoshta edhe në botë. Kemi një teme mjaft të rëndësishme për të diskutuar. E kemi nisur qysh sot në mëngjes, që do të thotë në ç‘drejtim po shkon njerëzimi. Kjo do të na ndikojë të gjithëve, po ndikon fëmijët tanë, do të ndikojë brezat e ardhshëm.

Kryeministri Rama, ju nuk jeni vetëm një udhëheqës politik. Thuajse u bëtë rastësisht udhëheqës politik, por jeni artist i shkëlqyer. Krijimet tuaja janë të jashtëzakonshme dhe unë isha i privilegjuar të vizitoja zyrën tuaj pak muaj më parë në Tiranë dhe është gati një muze. Çfarë mendoni, roli i kulturës, i krijimit, i arteve, i imagjinatës, i teknologjisë, çfarë mund të bëjë për t’i sjellë vendet në drejtimin e duhur dhe për të frymëzuar njerëzit sot sepse unë mendoj që njerëzit duhen frymëzuar.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Më lini të ndaj me ju përshtypjen e parë nga kjo tryezë. Në fakt nuk jam mësuar ta shoh këtu Giannin, jam mësuar ta shoh në Shtëpinë e Bardhë, duke sjellë kupat e botës, kupat e klubeve dhe këtu vjen me një top, kështu që topa këtu për ne dhe kupa për Shtëpinë e Bardhë. “Perandori” i futbollit është këtu dhe është një prej shenjave mjaft domethënëse për të thënë çfarë po ndodh në këtë vend. Kush do ta imagjinonte që në këtë vend vetëm 10 vjet më parë të ndodhte ky takim i jashtëzakonshëm dhe që vet Gianni Infantino do të ishte këtu jo vetëm si turist, por dhe si një person që përfaqëson lëvizjen më të madhe njerëzore e që avokaton për 2034 Kupën e Botës së 3034-ës. Duke iu kthyer pyetjes suaj, më duhet të ndaj bindjen time të patundur që ka vende të mrekullueshme që mund të jenë të varfëra, por nuk ka një vend të shëmtuar që është i begatë dhe i pasur. Kësisoj ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis bukurisë dhe begatisë dhe ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis njerëzve dhe hapësirës në të cilën jetojnë. Unë besoj se nëse sot Mbretëria Saudite është një model, kjo lidhet po kështu shumë me vizionin, pjesë e të cilit është bukuria, është transformimi i cili është fizik, është i prekshëm dhe të tregon që gjithçka është e mundur.

Synimi për ta transformuar këtë shkretëtirë në Firenze 2.0 dhe e kam fjalën për Firenzen e Medici, është saktësisht vizoni. Ajo çfarë po përjetojmë sot në këndin tonë të botës, që do të thotë perëndimi, është inercia jo imagjinata, ndërkohë që ajo me të cilën ndeshemi në pjesën e gjirit dhe në shumë pjesë të tjera të botës është imagjinata në vend të inercisë. Sigurisht, imagjinata ushqehet nga novacioni, sigurisht imagjinata ushqehet nga nevoja për të shkuar më lartë, për të bërë kapërcime mjaft të mëdha, por imagjinata po kështu lidhet me bukurinë.

Pas kthimit nga aeroporti mbrëmë pas 6 a 7 vitesh munda ta shihja, e ndjen menjëherë që ka një energji ndryshe në këtë vend. Ka një kuptim ndryshe të hapësirës dhe të bashkëjetesës vetëm duke parë skulpturat e gjelbra në të dyja anët e rrugës. Ndonjëherë nuk është mënyra sesi njerëzit, duke qenë se herë -  herë njerëzit më akuzonin kur isha kryetar bashkie dhe fillova të lyej me bojë ndërtesat e qytetit dhe më thoshin që kjo është një fasadë, kjo është kot. Megjithatë ju thashë imagjinojeni, një mëngjes njerëzit dalin nga shtëpia pa u kujdesur se si duket ai ose ajo. Imagjinojeni se çfarë makthi do të ishte nëqoftëse njerëzit nuk do të kujdeseshin për mënyrën sesi dukeshin, sepse është krejt gjë tjetër.

Unë kam bindje të patundur për këtë dhe kam përshtypjen për një kohë të gjatë në pjesën tonë të botës i kemi marrë gjërat shumë të mirëqena, ato që kemi dhe kemi konsumuar të gjitha ato çfarë trashëguam nga ata që menduan për të bukurën dhe tashmë jemi tek inercia e mërzitshme. Ja pse, apo një nga arsyet pse në anketën tuaj ka një ndjesi që jeta ime po ecën mirë, por vendi ynë s’po ecën mirë dhe kryesisht në ato vende që janë parë për një kohë të gjatë si vende ku gjërat kanë shkuar mirë po përballen me mërzinë e inercisë dhe me këtë dëshpërimin që asgjë nuk ndryshon ndërkohë që gjërat që ndryshojnë, ndryshojnë për keq. Ndërkohë që është një histori krejt tjetër në këtë pjesë të botës. Çdo gjë ndryshon dhe ndryshon për mirë. Kështu unë besoj që ka ardhur koha që ne te jemi më të përulur dhe të mësojmë nga Gianni. Ai është europian, rrethohet nga forcat e vjetra tradicionale, por është tërë kohën me ato që janë forca të reja dhe tregon që ajo çfarë ndodh në Europë mund të ndodh në Katar, mund të ndodhë në Arabinë Sauditë, në Marok dhe mund të ndodhë edhe në vendin më të paditur për futbollin që është SHBA.

- Richard Attias: Edi çfarë duhet të bëjë Evropa praktikisht për tu kthyer në drejtimin e duhur? Më jep tre, nëse do të ishit perandori i Evropës, për të cituar atë çfarë tha Gianni. Cila do të ishin tre vendimet për ta kthyer Europën?

Kryeministri Edi Rama: Ja, këtu duhet pasur zili Gianni sepse nuk i duhet që të mendojë e tu përgjigjet pyetjeve të tilla, por sinqerisht mendoj që ka diçka thelbësisht të gabuar në faktin që ka një nxitim të përditshëm për tu riarmatosur, për të menduar, për të folur e për të punuar gjithmonë e më tepër për më shumë armë. Ndërkohë që nuk ka një plan paqeje, që do të mund ta shihje e të lexoje e të mendoje mbi të. Një Europë që nuk ka planin e saj të paqes, një Europë, e cila për vite me radhë e vuri veten në autopilotin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pastaj kur gjërat atje ndryshuan dramatikisht do të thoja, nisi të rizbulonte fjalën “armëpushim” që ishte hequr nga fjalori i të gjithëve, e megjithatë ka ngecur në një pozicion që përqendrohet vetëm tek armatimet.

Pra, të ngecësh në këtë pozicion që të mendosh vetëm për armatimet dhe jo për bisedimet e për paqen, është shqetësuese. E di, si fakt që jam udhëheqësi më i gjatë mes udhëheqësve evropianë, por gjithmonë mbaj parasysh që përfaqësoj një vend shumë të vogël, kështu që nuk më takon mua t’i bëj leksion askujt apo të them se çfarë duhet të bëjnë të tjerët, por si një europian i palëkundur, ndihem shumë, shumë i shqetësuar dhe i trazuar nga fakti që fjala “bërthamore” është shndërruar në diçka normale në fjalor. Ndërkohë që, vetëm disa vjet më parë, fjala nuk përdorej nga askush. Kërcënimi i nënkuptuar apo i hapur përmes medias sociale, i forcave të mëdha përsëritur me raketat bërthamore në kurriz, është çmenduri. Kur e sheh të gjithë këtë, e kupton. Ka një fjalë që thonë italianët; ‘’një dush modestie, përulësie”, që do të thotë, Europa në përgjithësi duhet të marrë një dush përulësie dhe përpiqet të reflektojnë më shumë se çfarë po ndodh në pjesët e tjera të botës dhe të përpiqet të mësojë dhe të rinisë, duke mos e marrë legjitimitetin e vet moral të mirëqenë, e si diçka që i jep të gjitha arsyet për të shkuar në një drejtim që sigurisht nuk është i duhuri. Këtë mund të them për Europën. Se çfarë duhet të bëjë ose të mos bëjë Evropa, nuk ka lidhje me mua apo me Shqipërinë dhe në fakt është gjë e mirë sepse në një moment kur e dreqosën, atëherë e kanë vetë barrën, ndërkohë që kur kanë sukses, mund të pretendojmë që jemi pjesë e suksesit. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat