Europa Postuar më 5 Gusht 2026, 09:53

Zjarret po “djegin” edhe ekonominë evropiane/ Dëmet kalojnë 3 miliardë euro. Hiri mbulon thuajse 5 milionë hektarë

Nga Dorian Koça

Zjarret po “djegin” edhe ekonominë evropiane/ Dëmet

Kostoja ekonomike nga zjarret dhe valët e të nxehtit që kanë goditur Evropën ka arritur tashmë në mbi 3 miliardë euro. Pothuajse 5 milionë hektarë janë shkatërruar nga zjarret në dy muajt e parë të periudhës me rrezik të lartë, me kostot që arrijnë në 3.1 miliardë euro vetëm për pesë vendet më të prekura të Eurozonës, përfshirë Greqinë, Portugalinë dhe Rumaninë.

Kjo shumë i tejkalon vlerësimet e Komisionit Evropian për një ndikim mesatar vjetor prej rreth 2.5 miliardë eurosh në të gjithë Bashkimin Evropian. Kostoja ka të bëjë kryesisht me punimet e rehabilitimit, në mënyrë që zonat e djegura të mund të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme. Megjithatë, pritet që kostoja financiare përfundimtare të jetë shumë më e lartë, pasi dëmi në pronë, të mbjella, biznese dhe turizëm ende nuk është llogaritur plotësisht.

Në Francë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Girondës njoftoi se të paktën 40,000 biznese u prekën drejtpërdrejt nga zjarret. Nga këto, rreth 19,500 kishin pezulluar plotësisht veprimtarinë deri më 30 korrik , ndërsa deri në fund të korrikut, midis 120,000 dhe 150,000 punëtorë ishin në punë me kohë të pjesshme të subvencionuar nga shteti.

Në Spanjë, zjarret arritën në një distancë prej rreth 50 kilometra nga Madridi, duke shkaktuar dëme në shtëpi, biznese dhe automjete në zonat rurale. Shoqata e Fermerëve të Vegjël të vendit vlerëson se të paktën 18,500 hektarë tokë prodhuese, kryesisht kullota, janë humbur.

Ndikimi ekonomik nuk kufizohet vetëm në shkatërrimin e menjëhershëm. Kompanitë e sigurimeve, familjet dhe bizneset vazhdojnë të shënojnë humbje, ndërsa ndikimi në turizëm pritet të jetë gjithashtu i konsiderueshëm, në një kohë që është kulmi i sezonit të verës. Në rastin e Greqisë, ku frontet e zjarrit mbeten aktive, ndikimi i përgjithshëm ekonomik nuk mund të llogaritet ende.

Humbjet ekonomike mund të jenë më shumë se trefishi i mesatares vjetore prej 2.1 miliardë euro në PBB-në e humbur, e cila ishte llogaritur për ekonomitë rajonale të Portugalisë, Spanjës, Italisë dhe Greqisë në periudhën 2011-2018. Sipas ekspertëve, nëse zjarret arrijnë në qytete, kostot do të jenë shumë, shumë më të larta.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat