Europa Postuar më 20 Janar 2025, 13:15

Zgjedhin “IA” në vend të stafit - Mbi 50% e kompanive në Britani planifikojnë investime në teknologjinë e re

Nga Kristi Ceta

Zgjedhin “IA” në vend të stafit - Mbi 50% e kompanive

Gjysma e bizneseve në Mbretërinë e Bashkuar planifikojnë t'i japin përparësi investimeve në inteligjencën artificiale në vend të punësimit, për shkak të vendimit të kancelares Rachel Reeves për të rritur faturat tatimore të punëdhënësve.

Sipas një sondazhi nga Boston Consulting Group, rreth 51 për qind e drejtuesve të biznesit thanë se do të "ridrejtonin investimet nga stafi tek inteligjenca artificiale", si rezultat i rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit. “Njerëzit kanë filluar të shohin potencialin e këtyre teknologjive për të qenë më produktive, në një botë ku kostot e punësimit po rriten,” thonë drejtuesit e kompanive.

Kompanitë kanë paralajmëruar për miliarda paund kosto nga lëvizja e Reeves për të rritur normën e kontributeve të punëdhënësve dhe për të ulur pragun e fitimeve. Ata po përgatiten gjithashtu për një rritje të pagës kombëtare të jetesës.

Rreth 57 për qind e drejtuesve të anketuar thanë se do të punësonin më pak njerëz në vitin 2025 si rezultat i reformave. Sondazhi, i realizuar në 251 biznese në Mbretërinë e Bashkuar me më shumë se 50 punonjës secili, zbuloi se investimi në inteligjencën artificiale ishte një prioritet për 44 për qind të të anketuarve këtë vit.

Drejtuesit theksojnë se qeveria "po rrit kostot e punësimit të njerëzve në mënyra të shumta në të njëjtën kohë, pikërisht në momentin kur po shfaqen mundësitë për uljen e kostove të teknologjisë së re".

Digjitalizimi tashmë po ndikon në punësim. Grupi i telekomit BT njoftoi në vitin 2023 se do të shkurtonte deri në 55,000 vende pune, ose 42 për qind të fuqisë së tij punëtore, deri në fund të dekadës.

Ndërkohë, zgjerimi i inteligjencës artificiale ka bërë që kompanitë të kërkojnë staf me aftësi të lidhura me teknologjinë. “Ajo do të zëvendësojë disa vende pune, do të mbështesë disa të tjera dhe do të krijojë pozicione të reja, pra do të balancojë vetveten”, shpjegojnë analistët.

 

Sondazh

Poll
Shqipëria 20 Janar Edel Strazimiri

Java nis negativisht për valutat e huaja!

Monedha europiane blihet sot me 97.9 lekë dhe shitet me 98.5 lekë nga java kaluar pa ndonjë ndryshim të ndjeshëm sipas kursit të këmbimit lokal. Dollari......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat