Europa Postuar më 29 Shtator 2025, 10:52

Zbulohet fabrika më e madhe e paligjshme e cigareve në Itali - Impianti ndodhej në një bunker në provincën Frosinone

Nga Kristi Ceta

Zbulohet fabrika më e madhe e paligjshme e cigareve në Itali -

Zbulohet fabrika më e madhe e paligjshme e cigareve në Itali, e fshehur në një bunker pranë Cassino-s në provincën Frosinone. Operacioni çoi në sekuestrimin rekord të rreth 300 ton cigareve, arrestimin e një personi dhe ngritjen e disa akuzave për kontrabandë.

Hetimet zbuluan se ishin shmangur taksa me vlerë rreth 600 milionë euro, ndërsa përfitimet e paligjshme vlerësohen në rreth 130 milionë euro. Po ashtu, u sekuestruan pasuri me vlerë 53 milionë euro.

Hyrja në fabrikën ilegale bëhej përmes një pajisjeje të sofistikuar hidraulike që fshihte në mënyrë të përsosur bunkerin ku ndodheshin makineritë dhe tonelata cigaresh kontrabandë. Sipas raporteve teknike, impianti kishte kapacitet për të prodhuar rreth 2.7 miliardë cigare në vit, ose afërsisht 7.2 milionë në ditë. Magazina dukej e zbrazët, por brenda një kutie të madhe fshihej një telekomandë elektrike që, përmes një kombinimi butonash, aktivizonte leva hidraulike për të ngritur një strukturë alumini që përdorej si zyrë. Ndërsa bunkeri mund të arrihej përmes një ashensori ngarkesash.

Struktura përmbante korridore, kalime dhe tunele të ndërlidhura, ishte e ndriçuar mirë dhe e pajisur me sisteme ventilimi për të parandaluar përhapjen e tymit të prodhimit. Në katin nëntokësor ndodheshin edhe ambiente për fjetje me 18 shtretër, banja, dushe dhe një sallë ngrënieje, ku punëtorët e prodhimit mund të pushonin.

Në fabrikë, u gjetën mbi 150 ton cigare kontrabandë, të lidhura me marka të ndryshme, gati për t’u shpërndarë në tregun italian dhe atë të Bashkimit Evropian. U zbuluan gjithashtu mbi 170 ton lëndë paraprake, duke përfshirë 12 milionë kartona të falsifikuar, 15 milionë filtra, si dhe materiale të tjera ndihmëse për prodhimin e cigareve.

Ky zbulim përfaqëson një nga goditjet më të mëdha ndaj kontrabandës së duhanit në Evropë dhe dëshmon shkallën e lartë të organizimit dhe sofistikimit të rrjetit kriminal që qëndronte pas këtij aktiviteti.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat