Europa Postuar më 29 Mars 2025, 15:30

“Vetëm 500 miliardë euro për mbrojtjen” -Raporti “kufizon” shpenzimet e mundshme të BE-së deri në 2030

Nga Kristi Ceta

“Vetëm 500 miliardë euro për mbrojtjen” -Raporti

Vendet e Bashkimit Evropian duhet të jenë në gjendje të shpenzojnë vetëm rreth 500 miliardë euro për mbrojtjen në vitet e ardhshme, sipas agjencisë amerikane Fitch Ratings. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët se planet e bllokut për të realizuar deri në 800 miliardë euro shpenzime.

Blloku po konsideron një rritje dramatike të shpenzimeve të mbrojtjes, pasi vendet anëtare shqetësohen se SHBA, e cila ka garantuar sigurinë e Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, nuk është më e prirur ta bëjë këtë.

Por propozimet ua lënë pjesën më të madhe të financimit qeverive kombëtare, duke lehtësuar rregullat e BE-së për të mobilizuar 650 miliardë euro shpenzime, përveç 150 miliardë eurove huadhënie për mbrojtjen që BE do t'u japë vendeve anëtare.

Kjo është një sfidë e madhe në një kohë kur disa nga shtetet më të mëdha anëtare përballen me nivele të larta të borxhit dhe deficitit.

"500 miliardë është shuma që ne vlerësojmë se është e mundur në katër deri në pesë vitet e ardhshme," thonë burime të agjencisë.

"Ne kemi marrë lajme në dy javët e fundit në lidhje me qeveritë që premtojnë objektiva, por ajo që jemi përpjekur të bëjmë këtu është të vlerësojmë se cili është kapaciteti i qeverive për t’i realizuar ato," shtojnë ata.

Sipas raportit, vendet më larg Rusisë mund ta shohin më pak të nevojshme për të shpenzuar, ndërsa Italia, është treguar e kujdesshme për shpenzimet shtesë.

Agjencia e vlerësimit parashikoi që shpenzimet e mbrojtjes do të arrinin 3.3% të prodhimit në terma afatgjatë për Gjermaninë, e cila po rishikon rregullat e saj të huamarrjes për të rritur shpenzimet. Gjithashtu, investimet për ushtrinë do të arrinin një nivel të ngjashëm edhe në Francë.

Por në Itali dhe Spanjë shifra do të shkonte 2%, me vendet që aktualisht shpenzojnë më së paku për mbrojtjen në bllok.

Shpenzimet e mbrojtjes në Evropë në tërësi do të qëndrojnë në 2.5-2.6% të PBB-së deri në vitin 2028, vlerësoi agjencia, duke mos arritur gjithashtu ambiciet e NATO-s për të kaluar mbi 3%.

Sipas raportit, qeveritë do të kenë nevojë për masa që kompensojnë rritjen e shpenzimeve për të parandaluar që deficitet buxhetore në BE të rriten në 6% në afat të mesëm, nga nën 3% aktualisht. Kjo është e nevojshmë pasi kostot e mbrojtjes, por edhe të klimës, plakjes së popullatës dhe pagesave të interesit do të rriten.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat