Europa Postuar më 26 Shkurt 2025, 13:16

Vendet e BE-së kërkojnë “zgjerimin” e taksës së karbonit - Përfshirja e shumë sektorëve do të ndihmonte në shlyerjen e borxhit të Covid

Nga Kristi Ceta

Vendet e BE-së kërkojnë “zgjerimin” e taksës

Disa vende të mëdha të BE-së po kërkojnë që taksa e kufirit të karbonit të zgjerohet në vitet e ardhshme për të ndihmuar në ripagimin e mbi 300 miliardë euro borxhit të epokës së pandemisë.

Franca, Italia dhe Polonia janë shtytësit më të mëdhenj të këtij ndryshimi. Ata argumentojnë se BE ka nevojë dëshpërimisht për të ardhura të reja dhe se taksa kufitare e karbonit, e cila hyn në fuqi për sektorë të veçantë në vitin 2026, është një zgjidhje.

Taksa fillimisht do të mbulojë sektorë me ndotje të madhe si çeliku, çimentoja dhe alumini, si dhe energjia elektrike dhe hidrogjeni, me synimin që mallrat e importuara të paguajnë një çmim karboni të barabartë me standardet e BE-së. Por skema, e njohur zyrtarisht si Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit, përfshin gjithashtu një rishikim të integruar të vitit 2025 që do të eksplorojë një zgjerim të mundshëm në sektorë dhe produkte të tjera.

Përkrahësit tani po shohin një mundësi me bisedimet mbi buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të BE-së, që do të përcaktojë se si blloku do të shlyejë borxhin e përbashkët që mori në 2021 për të stabilizuar një ekonomi të goditur nga pandemia.

Një nga përkrahësit më të mëdhenj të planit, Polonia, aktualisht ka ndikim të madh mbi bisedën për politikat e BE-së. Vendi do të drejtojë presidencën e radhës gjashtëmujore të BE-së deri në korrik dhe komisioneri i saj i BE-së, Piotr Serafin, do të mbikëqyrë portofolin e buxhetit për pesë vitet e ardhshme.

Natyrisht, një zgjerim i Mekanizmit do të mbulonte vetëm një pjesë të vogël të pagesave të borxhit të BE-së, të cilat priten të shkojnë midis 25-30 miliardë euro në vit, deri në 20 për qind të parave aktuale vjetore të bllokut.

Më shumë para nga Mekanizmi

Austria, Bullgaria, Italia dhe Polonia rikthyen bisedën mbi Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit në dhjetor, kur diskutuan për një zgjerim të skemës. Ekzistojnë tre mënyra kryesore për ta arritur këtë: Mund të zgjerohet në sektorë të rinj, të ndryshohet për të mbuluar eksportet dhe importet, ose të modifikohet për të përfshirë produkte të prodhuara nga importet që mbulon mekanizmi.

Franca është gjithashtu një nga shtetet që mbështesin zgjerimin. Shumë industri të prekura nga Mekanizmi gjithashtu mbështesin idenë, nga frika se dështimi për të zgjeruar masën mund të lejojë kompanitë e huaja të anashkalojnë taksën.

Por jo të gjithë janë të bindur. Vendet me orientime më të mëdha drejt tregut të lirë kanë frikë se administrata e Donald Trump do të kundërsulmojë, edhe pse taksa e karbonit zbatohet për importuesit e BE-së, jo për firmat e huaja. Me bllokun në prag të një lufte tregtare me SHBA-në, ky do të ishte një veprim i rrezikshëm.

Bomba e borxhit të BE-së

Problemi është që taksa kufitare e karbonit është një nga të paktat në mbarë Unionin që rrjedh drejtpërdrejt në buxhetin e bllokut. Dhe me faturën e borxhit Covid që po afrohet, Brukseli ka nevojë për rrjedha të reja të ardhurash. Dështimi për të gjetur një zgjidhje mund të ketë pasoja të tmerrshme, në fondet e BE-së, nga subvencionet bujqësore te mbrojtja.

Komisioni Evropian, ekzekutivi i BE-së në Bruksel, vlerëson se 75 për qind e të ardhurave të pritshme të Mekanizmit, ose 1.5 miliardë euro, do të shkojnë në buxhetin e BE-së. Pjesa tjetër do të shkonte te qeveritë kombëtare. Kjo ndryshon nga të ardhurat e tjera të BE-së, të tilla si taksa mbi korporatat shumëkombëshe, që prodhojnë para për qeveritë individuale.

Kjo do të thotë se zgjerimi i taksës së karbonit u ofron qeverive një mënyrë për të mbledhur më shumë të ardhura të BE-së, pa hequr dorë nga fondet e tyre. Megjithatë, taksa e kufirit të karbonit nuk mund të “shërojë” sfidat fiskale të bllokut.

Çështja mund të lindë muajin tjetër kur udhëheqësit e BE-së të mblidhen në Bruksel për të diskutuar buxhetin e ardhshëm të bllokut. Komisioni më pas do të ofrojë propozimin e tij buxhetor në korrik.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat