Europa Postuar më 11 Dhjetor 2025, 10:32

Valë protestash në Bullgari - Mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe reforma në drejtësi

Nga Kristi Ceta

Valë protestash në Bullgari - Mijëra qytetarë

Mijëra qytetarë bullgarë protestuan kundër qeverisë së pakicës në vend. Sipas tyre, qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionin endemik në shtetin më të varfër të Bashkimit Evropian.

Protestat në kryeqytetin Sofje dhe në dhjetëra qytete të tjera në të gjithë vendin vijnë ndërsa Bullgaria përgatitet të fillojë përdorimin e euros më 1 janar.

Protestuesit përdorën lazerë për të projektuar fjalët “Dorëheqje”, “Mafia Jashtë” dhe “Zgjedhje të Ndershme” në ndërtesën e parlamentit në qendër të kryeqytetit.

“Mendoj se energjia e njerëzve do të detyrojë gradualisht qeverinë të japë dorëheqjen, sepse nevojiten shumë reforma. Së pari e mbi të gjitha, reforma në drejtësi. Nëse sistemi gjyqësor rregullohet, gjithçka do të përmirësohet,” tha një banor.

Javën e kaluar, qeveria tërhoqi projektbuxhetin për vitin 2026, të parin e hartuar në euro, për shkak të protestave masive. Partitë opozitare dhe organizata të tjera u shprehën kundër planeve për rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksave mbi dividentët për të mbuluar shpenzimet më të larta shtetërore.

Pavarësisht tërheqjes së qeverisë lidhur me projektbuxhetin, protestat kanë vazhduar në një vend që ka mbajtur shtatë zgjedhje kombëtare në katër vitet e fundit, të fundit në tetor 2024.

Sipas agjencisë bullgare të lajmeve BTA, Boyko Borissov, ish-kryeministër dhe lider i partisë në pushtet GERB, u shpreh se partnerët e koalicionit qeverisës kanë rënë dakord të mos japin dorëheqje para se Bullgaria të anëtarësohet në eurozonë më 1 janar.

Megjithatë, një zyrtar nga partia opozitare reformiste "Ne Vazhdojmë Ndryshimin", u shpreh: “Ne do të hyjmë në eurozonë, edhe nëse qeveria do të ketë dhënë dorëheqjen.”

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat