Europa Postuar më 22 Gusht 2025, 10:41

Tkurret ekonomia gjermane - Shkak, rënia e eksporteve dhe prodhimit industrial

Nga Kristi Ceta

Tkurret ekonomia gjermane - Shkak, rënia e eksporteve dhe prodhimit

Ekonomia e Gjermanisë u tkurr me 0.3% në tremujorin e dytë, në raport me periudhën janar-mars. Kjo tkurrje erdhi si pasojë e ngadalësimit të kërkesës nga partneri kryesor tregtar, Shtetet e Bashkuara, pas disa muajsh blerjesh paraprake në pritje të tarifave amerikane.

Zyra e statistikave rishikoi të dhënat paraprake, që shfaqnin një reduktim prej 0.1%, duke zbehur pritshmëritë për një rimëkëmbje të qëndrueshme të ekonomisë më të madhe evropiane gjatë këtij viti. Prodhimi industrial performoi më keq nga sa ishte supozuar fillimisht.

Konsumi i familjeve u rishikua në rritje vetëm prej 0.1% në tremujorin e dytë, për shkak të të dhënave të reja në sektorin e shërbimeve, si statistikat mujore të akomodimit dhe shërbimeve ushqimore për qershorin. Shpenzimet qeveritare u rritën me 0.8% krahasuar me tremujorin paraprak, ndërsa investimet ranë ndjeshëm, duke pësuar një rënie prej 1.4%.

As tregtia e jashtme nuk solli kontribute pozitive, me eksportet totale të mallrave dhe shërbimeve që u ulën me 0.1% në krahasim me tre muajt e mëparshëm.

SHBA ishte partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në vitin 2024, me një shkëmbim dypalësh mallrash prej 253 miliardë eurosh. Një lajm pozitiv për Gjermaninë erdhi nga sektori privat, që shënoi një rritje të lehtë në gusht, i nxitur nga sektori i prodhimit. Ekonomia pritet të rimëkëmbet në tremujorët e ardhshëm për shkak të uljes së normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane dhe politikës fiskale më të zgjeruar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat