Europa Postuar më 16 Tetor 2025, 09:57

Thikat zvicerane “përballen” me tarifat e Trump - Prodhuesit zhvendosin fokusin drejt Azisë dhe Amerikës Latine

Nga Kristi Ceta

Thikat zvicerane “përballen” me tarifat e Trump - Prodhuesit

Prodhuesi i thikave zvicerane Victorinox po përshtatet me tregun e ri global të formuar nga tarifat e Presidentit amerikan Donald Trump. Kompania po rishikon strategjitë e paketimit, po shton inventarët, po shtrëngon kostot në Zvicër dhe po zgjerohet më shumë në tregjet e Azisë dhe Amerikës Latine.

Trump vendosi tarifa prej 39% ndaj Zvicrës në gusht, në përpjekje për të ulur deficitin tregtar të SHBA-së me vendin alpin dhe për të nxitur më shumë prodhim brenda territorit amerikan. Por Victorinox thotë se vlera e veçantë e thikave të saj multifunksionale qëndron pikërisht në faktin që ato prodhohen në Zvicër.

"Po përpiqemi të ulim varësinë nga tregu amerikan, duke u zgjeruar në tregje të tjera si Amerika Latine dhe Azia," tha CEO Carl Elsener, stërnipi i themeluesit të kompanisë që u krijua në vitin 1884. "Nëse tarifa 39% mbetet, çdo produkt që ne eksportojmë në SHBA do të sjellë humbje," tha ai.

Victorinox, që prodhon rreth 10 milionë thika zvicerane në vit si dhe thika kuzhine, thika profesionale, orë dhe bagazhe, është një nga shumë prodhuesit vendas të shqetësuar për koston e lartë të tregtisë me SHBA-në. Në vitin 2024, SHBA përbënte rreth 13% të të ardhurave të saj prej 417 milionë frangash zvicerane.

Thikat multifunksionale të Victorinox u bënë të njohura mes ushtarëve amerikanë të stacionuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Kompania po ndërmerr hapa për të mbrojtur praninë e saj në Shtetet e Bashkuara, ku ka rreth 100 punonjës në shitje, marketing dhe logjistikë.

Në muajt shkurt dhe mars, Victorinox dërgoi dy kontenierë shtesë dhe mbushi depot amerikane me rreth 200,000 thika zvicerane dhe 200,000 thika kuzhine. Ky inventar i përgatitur paraprakisht do të sigurojë furnizim të mjaftueshëm deri në fund të vitit dhe pjesërisht deri në mars, duke i mundësuar kompanisë të mbajë çmimet e qëndrueshme në SHBA deri në vitin 2026.

Victorinox ka marrë në konsideratë zhvendosjen e një pjese të prodhimit në Shtetet e Bashkuara ose në Evropë për të shmangur tarifat, por e hodhi poshtë këtë mundësi, pasi nuk do të ishte e përshtatshme në aspektin ekonomik. Fabrika në Ibach prodhon çdo ditë 135,000 thika të ndryshme, çka e bën të vështirë ndarjen e prodhimit.

Megjithatë, kompania po mendon të zhvendosë në SHBA një pjesë të përpunimit final, si pastrimi dhe paketimi i thikave të kuzhinës, për të ulur vlerën mbi të cilën llogariten tarifat doganore, gjë që mund të kursejë rreth 500,000 franga.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat