Europa Postuar më 10 Tetor 2025, 09:23

Tarifat “ndëshkojnë” eksportet gjermane - Dërgesat në SHBA u tkurrën në nivelin më të ulët që nga 2021

Nga Kristi Ceta

Tarifat “ndëshkojnë” eksportet gjermane - Dërgesat

Eksportet gjermane drejt Shteteve të Bashkuara kanë pësuar rënie për të pestin muaj radhazi, duke arritur nivelin më të ulët në pothuajse katër vite. Këto të dhëna tregojnë ndikimin në rritje të tarifave amerikane në tregtinë transatlantike.

Megjithëse SHBA mbetet destinacioni kryesor i eksporteve gjermane, dërgesat për në këtë vend u ulën me 2.5% krahasuar me muajin paraprak në gusht, duke arritur në 10.9 miliardë euro.

Në bazë vjetore, eksportet për në SHBA ranë me 20%, duke reflektuar tensionin afatgjatë të shkaktuar nga politikat e tarifave. Nga ana tjetër, importet gjermane nga SHBA u rritën në gusht, me dërgesa që u shtuan me 3.4% në raport me muajin paraprak, në 8 miliardë euro.

Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje me administratën e Trump në muajin gusht, ku u vendos një tarifë e unifikuar prej 15% mbi shumicën e eksporteve evropiane në SHBA.

Marrëveshja përfshin sektorë kyç si automjetet, farmacitë, gjysmëpërçuesit dhe drurin. Disa kategori mallrash evropiane kanë përfitime preferenciale nën këtë marrëveshje, duke përfshirë aeroplanët dhe pjesët e tyre, barnat gjenerike dhe përbërësit kimikë.

Sipas Komisionit Evropian, mallrat dhe shërbimet me vlerë mbi 4.2 miliardë euro kalojnë çdo ditë Atlantikun, me një vlerë tregtie vjetore prej 1.6 trilionë eurosh.

Përtej marrëdhënieve transatlantike, balanca tregtare e Gjermanisë u përmirësua në gusht, pavarësisht aktivitetit të zbehtë të eksporteve.

Eksportet totale arritën në 129.7 miliardë euro, duke u tkurrur me 0.5% nga korriku. Ndërsa importet qëndruan në 112.5 miliardë euro, me një rënie mujore prej 1.3%, por një zgjerim vjetor prej 3.5%.

Si rezultat, suficiti tregtar u rrit në 17.17 miliardë euro në gusht 2025 dhe shënoi rritjen e dytë mujore radhazi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat