Europa Postuar më 27 Mars 2025, 10:18

Tarifat e makinave, BE “studion” kundërpërgjigjen - Von der Leyen thekson nevojën për një zgjidhje të negociuar

Nga Kristi Ceta

Tarifat e makinave, BE “studion” kundërpërgjigjen - Von

Një ditë pas misionit të Komisionerit të Tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic, në Uashington, Donald Trump shpalli tarifat e reja doganore prej 25 % për të gjitha makinat e importuara në Shtetet e Bashkuara. 

Teksa shprehu keqardhjen për këtë vendim, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen pohoi se “BE do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomike”. Ajo përsëriti se tarifat janë taksa që dëmtojnë bizneset dhe konsumatorët si në Shtetet e Bashkuara dhe në BE.

“Industria e automobilave është një shtytës i inovacionit, konkurrencës dhe punëve me cilësi të lartë, përmes zinxhirëve të furnizimit të integruar në të dy anët e Atlantikut. Siç e kam thënë më parë, tarifat janë taksa të këqija për bizneset dhe akoma më keq për konsumatorët, si në SHBA dhe në Bashkimin Evropian. Tashmë do ta vlerësojmë këtë njoftim, bashkë me masat e tjera që SHBA parashikon në ditët në vijim,” theksoi ajo.

“BE-ja do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje të negociuara, duke ruajtur interesat e saj ekonomikë. Si një fuqi e madhe tregtare dhe një komunitet i fortë prej 27 shtetesh anëtare, ne do të mbrojmë së bashku punëtorët, bizneset dhe konsumatorët tanë në të gjithë Unionin”, thuhet në deklaratën e Von der Leyen.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, tarifat doganore shërbejnë për të rritur të ardhurat, për të kompensuar shkurtimet e premtuara të taksave dhe për të nxitur prodhimin vendas. Por për industrinë e automobilave, përfshirë atë amerikane, ndikimi rrezikon të jetë i madh.

Kjo mund të shkaktojë çmime më të larta të konsumit, shitje më të ngadalta dhe dëmtimi i vetë prodhuesve amerikanë. Gjithashtu, vendimi do të ketë efekt të pashmangshëm në investime dhe rritje. Cox Automotive vlerëson se pa përjashtime, një makinë e prodhuar në SHBA do të kushtonte 3,000 dollarë më shumë, ndërsa një makinë e prodhuar në Kanada ose Meksikë deri në 6,000 dollarë më shumë.

Tarifat, nëse zbatohen, do të ndihen në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara importuan 214 miliardë dollarë makina pasagjerësh në vitin 2024, duke përfshirë edhe aleatët joevropianë si Japonia, Meksika dhe Koreja e Jugut.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat