Europa Postuar më 29 Shtator 2025, 10:33

Taksat mbi pasurinë në Evropë - Cilat shtete aplikojnë këto masa për individët?

Nga Kristi Ceta

Taksat mbi pasurinë në Evropë - Cilat shtete aplikojnë

Pabarazia e pasurisë është një realitet i dukshëm në mbarë botën, duke përfshirë edhe Evropën. Sipas Bankës Qendrore Evropiane (BQE), në fillim të vitit 2025, 5 për qindëshi më i pasur i popullsisë në eurozonë zotëronte 45% të pasurisë neto të familjeve, ndërsa 10 për qindëshi më i pasur kontrollonte 57.4% të këtij totali.

Megjithatë, taksat mbi pasurinë neto individuale mbeten të rralla në kontinent. Sipas organizatës Tax Foundation, deri në vitin 2025, vetëm Spanja, Norvegjia dhe Zvicra vendosin detyrime të drejtpërdrejta mbi pasurinë neto të individëve. Shtete të tjera si Franca, Italia, Holanda dhe Belgjika aplikojnë masa vetëm për kategori të caktuara asetesh, por jo për pasurinë totale të një personi.

Në Spanjë, taksa mbi pasurinë neto është progresive dhe varion nga 0.16% në 3.5%, për pasurinë që tejkalon 700,000 euro. Rezidentët tatohen për pasurinë e tyre në të gjithë botën, ndërsa jorezidentët vetëm për kapitalin brenda Spanjës. Përveç kësaj, në vitin 2022 qeveria qendrore spanjolle prezantoi një “taksë solidariteti mbi pasurinë”, me norma që variojnë nga 1.7% deri në 3.5%, për individët që zotërojnë pasuri neto mbi 3 milionë euro.

Po ashtu, Norvegjia aplikon masa mbi pasurinë neto në nivel kombëtar dhe lokal. Norma është 1% për asetet mbi 145,425 euro deri në 1.71 milionë euro. Për vlerat mbi këtë prag, norma rritet në 1.1%. Nga kjo shumë, 0.7% i takon komunave dhe 0.3% qeverisë qendrore.

Në Zvicër, taksa mbi pasurinë zbatohet në nivel kantonesh dhe ka pragje përjashtimi të ulëta, duke prekur edhe një pjesë të klasës së mesme. Në vitin 2025, në kantonin e Zyrihut, taksa fillon për individët me pasuri mbi 85,560 euro, me një normë fillestare prej 0.05%. Norma rritet gradualisht dhe arrin në 0.3% për vlera mbi 3.49 milionë euro për individët dhe 3.58 milionë euro për çiftet e martuara.

Në Francë, banorët tatohen mbi pasurinë e paluajtshme, nëse zotërojnë pasuri neto me vlerë 1.3 milionë euro ose më shumë. Edhe jorezidentët tatohen për pasuritë e paluajtshme që kanë në territorin francez. Norma maksimale arrin deri në 1.5%. Shtete të tjera si Italia, Belgjika dhe Holanda aplikojnë disa forma taksimi mbi pasurinë, kryesisht mbi asetet financiare, por nuk zbatojnë masa të drejtpërdrejta mbi individët.

Sipas të dhënave, Zvicra arkëtoi 9.5 miliardë euro nga pasuria individuale në vitin 2023, që përbënin 4.3% të të ardhurave totale nga taksat. Spanja grumbulloi 3.1 miliardë euro (0.6% e të ardhurave tatimore), ndërsa Norvegjia 2.7 miliardë euro apo 1.5% të totalit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat