Europa Postuar më 22 Tetor 2025, 09:34

Supermarketet greke, ndër më të lirat në Evropë Çmimet e produkteve, deri në 33% më të ulëta se në Gjermani

Nga Kristi Ceta

Supermarketet greke, ndër më të lirat në Evropë

Çmimet në supermarketet greke mbeten më të ulëta krahasuar me vende si Franca, Anglia, Italia, Spanja, Portugalia, Gjermania dhe Rumania, sipas një studimi të Institutit për Kërkime në Tregtinë me Pakicë të Mallrave të Konsumit.

Studimi bazohet në të dhëna nga platformat e krahasimit të çmimeve dhe fatura nga zinxhirët e supermarketeve, duke regjistruar koston e një shporte tipike produktesh për muajin shtator 2025. Krahasimi përfshin tregtinë e organizuar të ushqimeve në tetë vende evropiane: Greqi, Francë, Mbretëria e Bashkuar, Spanjë, Itali, Portugali, Gjermani dhe Rumani.

Analiza përfshin 40 kategori produktesh dhe mbi 6.000 çmime nga 44 zinxhirë të ndryshëm supermarketesh. Të dhënat përfshijnë vetëm produkte të supermarketeve, jo të pikave të tjera të shitjes.

Sipas rezultateve, vendet e tjera paraqesin kosto mesatare më të larta për shportën familjare: 33% më e shtrenjtë në Gjermani, 30% në Francë, 10% në Mbretërinë e Bashkuar, 15% në Itali, 12% në Spanjë, 15% në Rumani dhe 1% në Portugali.

Kur hiqet TVSH-ja përkatëse, diferenca bëhet edhe më e theksuar. Gjermania del 39% më e shtrenjtë, Franca 38%, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia 22%, Spanja 18%, Rumania 17% dhe Portugalia 4%.

Kjo diferencë vjen kryesisht si rezultat i normave të ndryshme të TVSH-së mbi ushqimet. Në Greqi, TVSH-ja është 13%, ndërsa në shtetet e tjera varion nga 0% deri në 10%. Për shembull, në Francë normat janë 10% dhe 5.5%, në Spanjë 10% dhe 4%, në Itali 10% dhe 4%, ndërsa në Gjermani 7%.

Dallimi kryesor është se produktet që në Greqi i nënshtrohen normës së mesme të TVSH-së, në vende të tjera përfshihen në normën e ulët, duke ulur çmimet përfundimtare. Ka shumë pak raste kur produktet kanë TVSH më të lartë jashtë Greqisë, siç është rasti i letrave të lagura për foshnje. Taksa të tjera, si ato të vendosura mbi kafenë, nuk janë përfshirë në krahasim.

Instituti thekson se tregtia e organizuar e ushqimeve në Greqi arrin të ofrojë çmime më të ulëta për konsumatorët, si rezultat i përpjekjes së koordinuar të furnizuesve dhe bizneseve për të mbajtur kostot nën kontroll. Kjo prirje ka mbetur e qëndrueshme gjatë 12 viteve të fundit, gjatë të cilave është zhvilluar ky studim.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat