Europa Postuar më 8 Shtator 2026, 10:06

Super impianti kundër karbonit - Holanda hap objektin më të madh në Evropë. 800 mijë ton CO₂ në vit

Nga Edel Strazimiri

Super impianti kundër karbonit - Holanda hap objektin më të madh

Një nga projektet më të mëdha të Evropës për uljen e emetimeve të karbonit ka nisur zyrtarisht operacionet në Holandë. Uzina e kompanisë Yara në Sluiskil është kthyer në impiantin më të madh komercial të kapjes dhe magazinimit të karbonit në Evropë.

Sistemi do të mundësojë kapjen dhe lëngëzimin e deri në 800 mijë tonë CO₂ në vit, që vjen nga prodhimi industrial i amoniakut. Karboni nuk do të çlirohet në atmosferë, por do të transportohet me anije drejt Norvegjisë për t’u ruajtur përgjithmonë nën Detin e Veriut.

CO₂ do të transportohet nga Holanda në objektin Northern Lights, në Norvegji, ku do të injektohet rreth 2 mijë e 600 metra nën shtratin e detit. Projekti parashikon kapjen dhe magazinimin e rreth 12 milionë tonëve CO₂ gjatë 15 viteve të ardhshme.

Ky është një projekt ndërkufitar që lidh industrinë holandeze me infrastrukturën norvegjeze të ruajtjes së karbonit dhe është mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian përmes programit Connecting Europe.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë zyrtarë të lartë evropianë, holandezë dhe norvegjezë, përfshirë Komisionerin Evropian për Klimën, Zero-Emetimet dhe Rritjen e Pastër, kryeministrin norvegjez dhe kryeministrin holandez.

Komisioneri Hoekstra e cilësoi projektin si një shembull të asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit ndërkufitar, duke kombinuar objektivat klimatike me nevojën për të ruajtur konkurrueshmërinë e industrisë evropiane.

Për kompaninë Yara, projekti është një investim strategjik për reduktimin e emetimeve nga prodhimi i amoniakut dhe plehrave kimike. Teknologjia pritet të ndihmojë gjithashtu në prodhimin e produkteve me gjurmë më të ulët karboni dhe të krijojë mundësi për përdorimin e amoniakut si karburant me emetime më të ulëta në transportin detar.

Projekti shihet si një test i rëndësishëm për zhvillimin e tregut evropian të kapjes, transportit dhe ruajtjes së karbonit, një teknologji që po shihet gjithnjë e më shumë si një nga mjetet për të ulur emetimet e industrive të rënda.

Për Evropën, sfida tashmë është që modele të tilla të mos mbeten projekte të izoluara, por të shndërrohen në një rrjet më të gjerë infrastrukture që lejon industritë me emetime të larta të reduktojnë karbonin, pa humbur kapacitetet prodhuese dhe konkurrueshmërinë.


Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat