Europa Postuar më 20 Qershor 2025, 11:04

“Stili i jetesës evropiane, në rrezik” -Kreu i FMN-së, thirrje për të forcuar tregun e përbashkët

Nga Kristi Ceta

“Stili i jetesës evropiane, në rrezik” -Kreu i

Evropa duhet të nxisë rritjen përballë erërave të vështira globale ose rrezikon të humbasë mënyrën e saj të jetesës, tha kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Georgieva.

"Nuk dua që Evropa të bëhet si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por dua që produktiviteti dhe funksionaliteti i Evropës të rriten. Në Evropë, ne kënaqemi duke qenë një superfuqi e stilit të jetesës. Nëse nuk bëhemi më produktivë, mund ta humbasim këtë avantazh", shtoi ajo.

Georgieva foli përpara publikimit të një deklarate të re të FMN-së, që ofron sugjerime ekonomike për vendet e eurozonës.

Një mesazh kyç është se Evropa duhet të përshpejtojë progresin në tregun e vetëm, që siguron lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.

"Nuk ka tarifa brenda Evropës, por kjo nuk do të thotë se nuk ka pengesa rregullatore dhe jo vetëm," tha Georgieva.

FMN vlerëson se pengesat për lëvizjen e lirë në tregun e vetëm janë ekuivalente me një tarifë prej 44% për mallrat dhe një taksë prej 110% për shërbimet.

Georgieva vuri në dukje se në SHBA, ajo që prodhohet në një shtet ndahet 30-70, që do të thotë se 30% konsumohet në atë shtet dhe 70% dërgohet në shtete të tjera. Në Evropë, nga ana tjetër, 70% e prodhimit konsumohet brenda vendit, ndërsa 30% dërgohet jashtë vendit. Ky është një sistem që kufizon rritjen, duke i mbajtur tregjet më të vogla dhe më pak konkurruese.

"Nëse Evropa e përfundon tregun e vetëm, gjatë 10 viteve, kjo do ta rriste PBB-në me 3%," shpjegoi kreu i FMN-së. Sipas saj, buxheti i bllokut ka nevojë për 'një rishikim gjithëpërfshirës' për të përballuar tronditjet.

Mjetet për të çuar përpara progresin në këtë front përfshijnë uljen e fragmentimit rregullator, mbështetjen e lëvizshmërisë së punës, lehtësimin e bashkimeve bankare ndërkufitare, integrimin e tregut të energjisë dhe përparimin në bashkimin e tregjeve të kapitalit.

Unioni i tregjeve kapitale synon të lejojë që investimet dhe kursimet të rrjedhin pa probleme në të gjitha shtetet anëtare. Kjo do ta bëjë më të lehtë për bizneset në një shtet të BE-së të marrin financim nga një vend tjetër, duke i ndihmuar ato të rriten dhe të krijojnë vende pune.

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret një rritje të moderuar të eurozonës prej 0.8% në vitin 2025, duke u rritur në 1.2% në vitin 2026. Tensionet tregtare dhe gjeopolitike priten të rëndojnë mbi investimet dhe konsumin.

Lidhur me normat e interesit, FMN argumentoi se "një qëndrim i politikës monetare afër neutralitetit është i justifikuar" ndërsa inflacioni total i afrohet objektivit prej 2% të Bankës Qendrore Evropiane.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat