Europa Postuar më 5 Shtator 2025, 10:50

Spanjë, sezoni turistik nuk njeh kufij - Mirëpriti 11 milionë vizitorë në korrik. Pritet fluks i lartë edhe në shtator

Nga Kristi Ceta

Spanjë, sezoni turistik nuk njeh kufij - Mirëpriti 11 milionë

Spanja po tejkalon sërish rekordet në sektorin e turizmit. Të dhënat e fundit nga Instituti Kombëtar i Statistikave tregojnë se vendi priti 11 milionë vizitorë ndërkombëtarë gjatë korrikut, numri më i madh mujor në historinë e vet. Në vetëm shtatë muajt e parë të vitit 2025, Spanja mirëpriti 55.5 milionë vizitorë.

Shpenzimet e turistëve po rriten me të njëjtën shpejtësi, duke i kaluar 76 miliardë euro deri tani këtë vit, një rritje prej 7.2% krahasuar me 2024. Dominimi i Spanjës si destinacion i preferuar për pushime mbetet i paprekur, kryesisht falë turistëve britanikë, francezë dhe gjermanë.

Bumi i madh i turizmit ka zgjatur periudhën e pushimeve, që tradicionalisht ishte e qetë pas gushtit. Tendencat kanë ndryshuar ndjeshëm, ndërsa më pak se 40% e spanjollëve shkuan për pushime gjatë gushtit. Nga ana tjetër, rreth një në gjashtë spanjollë planifikon të shkojë në shtator, sipas Observatorit Kombëtar të Turizmit Jashtë Spanjës.

Vizitorët ndërkombëtarë po ndjekin të njëjtat tendenca, duke mbushur plazhet, baret dhe hotelet, edhe pasi sezoni veror ka përfunduar. Në Ishujt Kanarie, një destinacion kyç i turizmit spanjoll, çmimet e hoteleve dhe apartamenteve shënuan një rritje prej 5.3% midis shtatorit 2023 dhe 2024. Aktualisht kostot e akomodimit janë 25% më të larta se në vitin 2019. Në mbarë vendin, një qëndrim një natë në shtatorin e kaluar kushtonte mesatarisht 132 euro, 21% më shumë se në vitin 2023.

Por sukseset rekord nuk vijnë pa sfida. Protestat kundër turistëve dhe shqetësimet mjedisore po shtohen. Në Ishujt Kanarie, demonstruesit kanë dalë në rrugë për të tërhequr vëmendjen mbi problemet e strehimit dhe dëmet mjedisore që shkakton turizmi masiv. Protestuesit kërkojnë kufizime për numrin e vizitorëve, ndërsa rajoni po përgatitet për një tjetër sezon vjeshte rekord. Edhe në disa qytete si Barcelona janë forcuar kontrollet mbi platformën Airbnb dhe po riorganizohet mënyra sesi turistët vizitojnë atraksionet kryesore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat