Europa Postuar më 18 Dhjetor 2025, 09:47

Spanja, plan kundër valëve të nxehtësisë - Ndërtesat publike do të përdoren si strehë klimatike gjatë verës

Nga Kristi Ceta

Spanja, plan kundër valëve të nxehtësisë -

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, njoftoi një plan për krijimin e një rrjeti strehësh klimatike. Shumë ndërtesa shtetërore do të vihen në dispozicion të qytetarëve që nga vera e ardhshme, për t’u mbrojtur nga valët gjithnjë e më të rënda të të nxehtit.

Ky rrjet do të ndërtohet mbi iniciativa ekzistuese që tashmë funksionojnë në rajonin autonom Bask dhe atë të Katalonjës. “Thatësirat shkatërruese dhe valët e të nxehtit nuk janë më të rralla,” tha Sanchez në një konferencë për klimën në Madrid, duke theksuar se disa vera nuk përbëhen më nga valë të ndara, por nga një valë e gjatë nxehtësie që zgjat nga qershori deri në gusht.

“Para verës së ardhshme, do të krijojmë një rrjet kombëtar strehësh klimatike, duke përdorur ndërtesat qeveritare, veçanërisht ato të administratës qendrore, duke i bërë të aksesueshme për të gjithë,” shtoi ai. Kryeministri bëri të ditur se qeveria do të sigurojë edhe fonde për krijimin e strehëve në lagjet që kanë më shumë nevojë, ku i nxehti prek më fort qytetarët.

Ky rrjet është një nga 80 masat konkrete të shpallura nga Sanchez në konferencë, të hartuara pas rreth 4,000 propozimeve të paraqitura nga qytetarë, ambientalistë dhe shkencëtarë. Programi përfshin mbrojtjen e sistemeve bregdetare dhe detare, investime për përballimin e përmbytjeve dhe zjarreve në zona rurale, si dhe luftën kundër dezinformimit mbi ndryshimet klimatike.

Sanchez theksoi se 88% e popullsisë e konsideron ndryshimin klimatik si një problem serioz që kërkon veprim. Ai gjithashtu kritikoi vendimin e BE-së për të zbutur ndalimin e planifikuar për makinat me benzinë dhe naftë nga viti 2035, duke e cilësuar atë si një “gabim historik”.

Ndryshimet klimatike, të shkaktuara kryesisht nga djegia e lëndëve fosile, tashmë po e rrisin ndikimin në planet dhe po e bëjnë jetën më të vështirë në shumë rajone, duke përfshirë Evropën, ku valët e të nxehtit, zjarret dhe thatësirat po bëhen gjithnjë e më të gjata dhe intensive.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat