Europa Postuar më 16 Shtator 2025, 10:08

Spanja “eliminon” 53,000 apartamente turistike/ I transformon në banesa të përhershme për vendasit

Nga Kristi Ceta

Spanja “eliminon” 53,000 apartamente turistike/ I transformon

Qeveria e Spanjës ka njoftuar heqjen e rreth 53,000 apartamenteve turistike nga Regjistri i Vetëm i Qirave Turistike dhe Sezonale, me qëllim që këto njësi të kalojnë në përdorim si banesa të përhershme me qira.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Pedro Sánchez. "Ne kemi zbuluar mijëra parregullsi në shumë prej këtyre banesave që lëshohen me qira për pushime apo përdorim turistik. Dhe ajo që do të bëjmë është të heqim 53,000 banesa nga ky regjistër në mënyrë që ato të bëhen banesa të përhershme me qira për të rinjtë dhe familjet në vendin tonë," deklaroi Sánchez.

Ministria e Strehimit ka kërkuar tashmë nga platformat e akomodimit turistik, si Airbnb dhe Booking.com, të heqin reklamat për këto apartamente.

Sipas Airbnb, që ka pasur disa përplasje me qeverinë spanjolle, rreth 70,000 njoftime të tjera tashmë paraqesin një numër zyrtar regjistrimi, që do të thotë se shumica dërrmuese e akomodimeve po e respektojnë këtë kërkesë.

Megjithatë, në bashkëpunim me Ministrinë e Strehimit, platforma ka zbuluar se më pak se 10% e regjistrimeve të anuluara në nivel kombëtar janë ende të lidhura me njoftime aktive. Këto njoftime do të çregjistrohen menjëherë, sipas burimeve.

Andaluzia kryeson listën e rajoneve me më shumë regjistrime apartamentesh turistike të anuluara, me 16,740 raste. Pas saj vijnë Ishujt Kanarie me 8,698 raste, Katalonja me 7,729 dhe Komuniteti i Valencias me 7,499.

Ministria e Strehimit nënvizon një situatë të veçantë në Komunitetin e Madridit, ku 83% e aplikimeve për regjistrim kanë të bëjnë me qira të përkohshme, ndërsa vetëm 17% janë paraqitur si qira turistike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat