Europa Postuar më 30 Shtator 2025, 19:34

Shqetësimet e industrisë gjermane, Lufthansa do të shkurtojë 4,000 vende pune

Nga SCAN TV

Shqetësimet e industrisë gjermane, Lufthansa do të shkurtojë

Industria gjermane është ende, siç thuhet në qarqet profesionale, "nën presion". Pas njoftimit të fundit shqetësues nga Bosch për shkurtime masive të vendeve të punës, shqetësimi tjetër vjen nga Lufthansa. Siç njoftoi menaxhmenti më 29 shtator, rreth 4,000 vende pune janë planifikuar të shkurtohen deri në vitin 2030.

Sipas kompanisë, fokusi i shkurtimeve të vendeve të punës do të jetë në administratë dhe jo në "punën operative". Proceset administrative duhet të digjitalizohen, automatizohen dhe unifikohen. Me këtë u specifikuan dhe konfirmuan shqetësimet e shfaqura në publik pas spekulimeve për shkurtime në shoqërinë ajrore gjermane më e madhja në Europë.

Për më tepër, do të formulohen objektiva financiare më ambicioze afatmesme - prandaj planifikohen fitime më të larta. Lufthansa, e cila ka 103,000 punonjës, dëshiron të arrijë një fitim operativ prej tetë deri në dhjetë përqind të të ardhurave në të ardhmen. Deri më tani, vlera e synuar ishte tetë përqind.

Për vitin aktual, menaxhmenti është optimist: fitimi operativ duhet, siç është planifikuar, të tejkalojë ndjeshëm shumën e vitit të kaluar prej 1.6 miliardë eurosh.

Për të arritur rritjen e planifikuar të të ardhurave, linjat ajrore të ndryshme që janë pjesë e koncernit duhet të unifikohen dhe të menaxhohen më fort në mënyrë të centralizuar. Përveç markës qendrore Lufthansa, e cila ka disa vështirësi, kompania përfshin edhe Swiss, Austrian, Brussels Airlines, e Lufthansa është gjithashtu aksioner i vogël edhe i kompanisë italiane Ita.

Dega me kosto të ulët e Lufthansës, Eurowings, do të forcohet gjithashtu, si dhe departamentet e saj të logjistikës dhe shërbimit dhe mirëmbajtjes së avionëve. Plani përfshin edhe aktivitet të shtuar në fushën e forcave ajrore, domethënë në mbrojtje.

Qëllimi i të gjitha masave është të pozicionohet më mirë koncerni për të ardhmen dhe të sigurohen fitime të mira për aksionerët edhe në të ardhmen: ata ende mund të mbështeten në dividentë në shumën prej 20 deri në 40 përqind të fitimit të koncernit.

Megjithatë, menaxhmenti duhet së pari të merret me grevën e afërt të pilotëve. Referendumi i sindikatës së pilotëve Vereinigung Cockpit (VC) përfundon të martën.

Ai u bëri thirrje anëtarëve të tij në kompaninë mëmë Lufthansa dhe degën e ngarkesave Lufthansa Cargo të vendosin për grevë. Pika e mosmarrëveshjes janë pensionet. Lufthansa i hodhi poshtë kërkesat si të parealizueshme për shkak të kostove.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat