Europa Postuar më 1 Shtator 2026, 10:35

Rumania humbet 770 mln euro nga fondet e BE - Ngërçi politik pengon reformën e pagave në sektorin publik

Nga Edel Strazimiri

Rumania humbet 770 mln euro nga fondet e BE - Ngërçi politik pengon

Rumania pritet të humbasë të paktën 770 milionë euro nga fondet e Bashkimit Europian, pasi partitë kryesore politike nuk arritën të miratojnë në kohë reformën e pagave në sektorin publik, një nga kushtet për përfitimin e fondeve të planit të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Afati për përfundimin e reformave skadoi më 31 gusht, ndërsa palët politike nuk arritën një marrëveshje për ligjin e ri të pagave. Sipas burimeve europiane, shuma prej rreth 770 milionë eurosh pritet të zbritet nga 8.44 miliardë euro që Rumania ende ka në dispozicion nga fondet e planit të rimëkëmbjes, i cili në total arrin në 21.41 miliardë euro.

Humbja përfundimtare do të përcaktohet nga Komisioni Europian, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit për pagesë që Rumania pritet të dorëzojë deri në fund të shtatorit.

Presidenti rumun Nicuşor Dan ka deklaruar se reforma ishte pothuajse e përfunduar teknikisht dhe mund të miratohej deri në fund të vitit. Ai e ka cilësuar çështjen si komplekse, për shkak të ndikimit të saj social dhe ekonomik.

Përplasjet politike janë shoqëruar edhe me kundërshtimin e fortë të sindikatave. Përfaqësuesit e punonjësve publikë pretendojnë se ndryshimet mund të sjellin ulje pagash për kategori të caktuara dhe se mekanizmat e propozuar për përshtatjen me inflacionin nuk janë të mjaftueshëm. Sindikatat kanë zhvilluar protesta. Ndërsa mosmarrëveshjet kanë rikthyer përplasjet brenda kampit politik pro-europian.

Një tjetër përplasje lidhet me një ligj për integritetin dhe konfliktet e interesit të zyrtarëve publikë. Ligji u miratua përpara afatit, por një dispozitë e debatueshme ka shkaktuar kritika nga grupet e Partisë Popullore Europiane dhe Renew Europe në Parlamentin Europian.

Nëse Komisioni Europian vlerëson se ligji nuk përputhet me standardet e BE-së për sundimin e ligjit, pagesa përkatëse mund të ngrihet dhe Rumania mund të përballet me humbje të tjera financiare nga fondet europiane.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat