Europa Postuar më 22 Korrik 2026, 10:37

Rriten çmimet e qirave në Gjermani - Oferta e banesave është tkurrur ndjeshëm në shumë zona

Nga Dorian Koça

Rriten çmimet e qirave në Gjermani - Oferta e banesave

Sipas një studimi të Institutit të Ekonomisë në Këln (IW) çmimet e qirave në Gjermani janë rritur ndjeshëm kohët e fundit. Qiratë e ofruara në treg ishin në tremujorin e dytë të vitit 2026 4% më të larta në nivel kombëtar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja më e fortë u regjistrua në qytetet e mëdha jashtë metropoleve kryesore, ku qiratë u rritën me 4,9%. Në shtatë qytetet më të mëdha të Gjermanisë, Berlin, Hamburg, Mynih, Këln, Frankfurt, Shtutgart dhe Dyseldorf, rritja ishte më e moderuar, me 2,9%.

Megjithatë, mes këtyre qyteteve ka dallime të konsiderueshme. Në Këln qiratë u rritën me 7,9%, ndërsa në Hamburg me 5,5%. Rritje dukshëm më të ulëta u shënuan në Shtutgart, me 0,9% dhe në Berlin, me vetëm 1%.

Sipas ekspertëve oferta e banesave me qira është tkurrur ndjeshëm në shumë zona. Numri i njoftimeve dhe ofertave për banesa me qira është thuajse 12% më i ulët se në fillim të vitit 2022. Edhe në këtë aspekt dallohen qytetet e mëdha: në Hamburg oferta e banesave me qira është përgjysmuar, ndërsa në Frankfurt mbi Main numri i njoftimeve ishte 43% më i ulët.

Sipas ekspertëve, shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë në banesa që nuk u përshtaten më nevojave të tyre jetësore, pra ose janë shumë të mëdha ose shumë të vogla, pasi ata nuk duan të heqin dorë nga qiratë e tyre të favorshme.

Ndryshe paraqitet situata në tregun e blerjes së banesave. Sipas analizës, çmimet janë rritur në mënyrë të moderuar. Si banesat në pronësi, ashtu edhe shtëpitë një dhe dyfamiljare u shtrenjtuan me nga 0,8% në nivel kombëtar krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Edhe këtu dallimet rajonale janë të mëdha. Në Dortmund, çmimet u rritën me 5%, ndërsa në Mynih ato ranë me 1,9%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat