Europa Postuar më 11 Nëntor 2025, 09:33

Pse Spanja po “refuzon” bukën? - Konsumi është tkurrur me 80% që nga viti 1960

Nga Kristi Ceta

Pse Spanja po “refuzon” bukën? - Konsumi është

Buka, shoqëruesja e pandashme e çdo vakti spanjoll, po zhduket nga tryezat me një ritëm shqetësues. Të dhënat janë të qarta. Në fillim të viteve 1960, çdo spanjoll konsumonte 134 kilogramë bukë në vit. Sot kjo sasi është reduktuar në gati 28 kilogramë në vit, një rënie prej 80% që reflekton shumë më tepër sesa një ndryshim të thjeshtë në dietë.

Transformimi është kryesisht gjeneracional dhe kulturor. Sipas ekspertëve të sektorit, ekziston një qasje shumë e ndryshme midis të rinjve dhe të moshuarve. Të rinjtë e kanë zëvendësuar këtë ushqim tradicional me burime të tjera karbohidratesh, si pica apo makaronat, dhe e lidhin bukën direkt me shtimin në peshë dhe intolerancat ushqimore.

Ky largim nga dieta tipike mesdhetare ka qenë progresiv, por i pandalshëm. Në dekadën e fundit, kërkesa ka rënë mbi 20%, nga 34.9 kilogramë për frymë në vitin 2015 në 27.82 kilogramë në vitin 2025. Blerja e përditshme e bukës, dikur një ritual, po bëhet gjithnjë e më e rrallë.

Një nga faktorët më ndikues në këtë rënie është perceptimi i gabuar mbi vlerat ushqyese të bukës. "Buka është ‘goditur’ nga supozimi i gabuar se të bën të shtosh në peshë," thotë një përfaqësuese e industrisë së këtij sektori. Ky besim është përhapur aq sa 29.2% e spanjollëve ndjekin një dietë pa bukë, ndërsa 24% nuk e konsiderojnë atë të nevojshme për një dietë të ekuilibruar.

Realiteti është i ndryshëm: përmbajtja e yndyrës në bukë është e ulët, por sektori ka tentuar të hedhë poshtë për dekada këtë mit pa shumë sukses. Për më tepër, shumë persona që nuk janë intolerantë kanë ndaluar konsumin e produkteve me gluten, duke kontribuuar më tej në rënien e konsumit.

Kriza ka goditur rëndë sektorin tradicional. Rreth 40% e furrave të bukës janë mbyllur që nga fillimi i shekullit, për shkak të rënies së konsumit. Buka është bërë 30% më e shtrenjtë në një dekadë dhe tani shitet kryesisht në supermarkete dhe stacione karburanti, ku dominojnë prodhimet industriale.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat