Europa Postuar më 24 Tetor 2025, 09:37

Praga ndalon monopatinat elektrike nga janari 2026 - Autoritetet synojnë të lirojnë hapësirat publike dhe të forcojnë sigurinë

Nga Kristi Ceta

Praga ndalon monopatinat elektrike nga janari 2026 - Autoritetet synojnë

Kryeqyteti çek, Praga, do të ndalojë përdorimin e monopatinave elektrike nga fillimi i vitit të ardhshëm. Këshilltarët e qytetit miratuan një masë të re që rishikon rregullat për transportin e përbashkët dhe përcakton ku mund të parkohen biçikletat, si ato me pedale ashtu edhe elektrike. Monopatinat elektrike u përjashtuan nga këto rregulla, që praktikisht nënkupton ndalimin e aksesit duke nisur nga janari.

“Fundi i monopatinave elektrike është miratuar!” sqaruan burimet zyrtare të transportit në Pragë. “Po prezantojmë rregulla të qarta që do të lirojnë hapësirat publike nga trafiku i pakontrolluar i tyre. Ato shpesh përdoreshin si atraksion turistik në qendrën e qytetit dhe shkaktonin kaos në trotuare dhe zona këmbësorësh,” thuhet në deklaratë.

Iniciativa vjen pas përpjekjeve lokale për të kufizuar numrin e monopatinave që lëviznin të pakontrolluara nëpër Pragë. Qarkullimi i tyre tashmë ishte ndaluar në një pjesë të qendrës së qytetit, ku banorët kishin ngritur shqetësime për sigurinë.

Praga u bashkohet destinacioneve të tjera turistike në Evropë që në vitet e fundit kanë ashpërsuar rregullat për monopatinat. Shumë qytete kanë vendosur masa të rrepta sigurie, si helmeta dhe garanci sigurie në Itali, ose kanë bllokuar qarkullimin e tyre, si në Paris dhe Madrid. Ndërsa Finlanda ka ndaluar përdorimin e tyre nga të miturit nën moshën 15 vjeç.

Zyrtarët e Pragës thanë se vepruan pas ankesave nga banorët për rreziqet që monopatinat përbënin në trotuare dhe parqe, apo për bllokimin e rrugëve dhe vendeve të parkimit kur nuk ishin në përdorim. Autoritetet, që synojnë të promovojnë përdorimin më të gjerë të biçikletave, nënvizuan se monopatinat elektrike regjistrojnë norma më të larta aksidentesh sesa biçikletat.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat