Europa Postuar më 18 Tetor 2025, 10:07

Polonia, prezanton reformën tatimore/ Heq taksat mbi të ardhurat për familjet me dy fëmijë

Nga Kristi Ceta

Polonia, prezanton reformën tatimore/ Heq taksat mbi të ardhurat

Polonia ka nënshkruar një ligj të ri që përjashton nga tatimi mbi të ardhurat personale të gjithë prindërit që rrisin të paktën dy fëmijë. Kjo reformë synon të mbështesë familjet, të rrisë të ardhurat e disponueshme dhe të nxisë aktivitetin ekonomik.

Projektligji e heq detyrimin për të paguar tatim mbi të ardhurat për familjet me të ardhura deri në rreth 33,000 euro në vit. Lehtësimi tatimor do të jetë i vlefshëm për të gjithë personat që kanë përgjegjësi prindërore mbi fëmijët, duke përfshirë kujdestarët ligjorë dhe prindërit birësues.

Sipas llogaritjeve të presidencës, një familje polake mesatare pritet të përfitojë rreth 235 euro më shumë në muaj falë kësaj mase. Efekti real i këtij ndryshimi do të pasqyrohet vetëm në deklaratat tatimore të vitit 2026, që do të dorëzohen në 2027.

Qëllimi i reformës është të lehtësojë barrën fiskale për familjet, të stimulojë konsumin dhe të inkurajojë angazhimin profesional.

Përjashtimi nga tatimi është vetëm një pjesë e një pakete më të gjerë reformash të quajtur “mburoja tatimore”. Paketa përfshin gjithashtu uljen e TVSH-së nga 23% në 22%, heqjen e taksës mbi fitimet kapitale dhe indeksimin e pensioneve sipas një kuote të re.

Sipas burimeve zyrtare, financimi i programit do të vijë nga një shtrëngim i sistemit tatimor, që pritet të gjenerojë rreth 3 miliardë euro. Megjithatë, ekspertët financiarë janë skeptikë dhe e konsiderojnë të pamjaftueshëm këtë burim financimi. Specialistët e taksave paralajmërojnë gjithashtu se përfitimet më të mëdha nga reforma do t’i ndiejnë më së shumti qytetarët me të ardhura të larta.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat