Europa Postuar më 20 Qershor 2025, 10:16

Përshkallëzohet lufta tregtare BE-Kinë- Blloku u ndalon firmave kineze kontratat kryesore për pajisje mjekësore

Nga Kristi Ceta

Përshkallëzohet lufta tregtare BE-Kinë- Blloku u ndalon firmave

 

BE-ja u ndaloi firmave kineze blerjet e pajisjeve mjekësore qeveritare me vlerë më shumë se pesë milionë euro, si kundërpërgjigje ndaj kufizimeve që Pekini ka vendosur në tregun e vet.

Përplasja e fundit tregtare midis bllokut 27-vendesh dhe Kinës mbulon një gamë të gjerë furnizimesh të kujdesit shëndetësor, nga maskat kirurgjikale te makinat me rreze X, që përfaqësojnë një treg me vlerë 150 miliardë euro në BE.

"Qëllimi ynë me këto masa është të barazojmë kushtet e lojës për bizneset e BE-së. Ne mbetemi të përkushtuar për dialog me Kinën për të zgjidhur këto çështje," tha komisioneri i tregtisë së bllokut Maros Sefcovic.

Komisioni Evropian tha në një deklaratë se masa erdhi si "përgjigje ndaj përjashtimit të gjatë të pajisjeve mjekësore të prodhuara në BE nga kontratat qeveritare kineze".

Brukseli tha se gati 90 përqind e kontratave të prokurimit publik për pajisjet mjekësore në Kinë "ishin subjekt i masave përjashtuese dhe diskriminuese" kundër firmave të BE-së. Përveç ndalimit të firmave kineze nga blerjet e mëdha shtetërore, "inputet nga Kina për ofertat e suksesshme" do të kufizoheshin gjithashtu në 50 përqind,” thuhet në deklaratë.

Gjatë tre viteve të fundit, Brukseli dhe Pekini kanë hyrë në konflikt në disa sektorë ekonomikë, duke përfshirë makinat elektrike, industrinë hekurudhore, panelet diellore dhe turbinat me erë.

Vendimi për pajisjet mjekësore vjen në një kohë tensionesh të larta tregtare me Shtetet e Bashkuara të Presidentit Donald Trump, që kanë vendosur pagesa doganore shtesë për importet nga e gjithë bota, duke përfshirë Evropën.

BE ka vendosur të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj tregtisë në vitet e fundit, duke miratuar një arsenal të gjerë legjislacioni për të mbrojtur më mirë bizneset e saj kundër konkurrencës së padrejtë.

Në prill 2024, komisioni hapi një hetim mbi kontratat publike kineze për pajisjet mjekësore, i pari sipas një mekanizmi të ri të prezantuar nga BE në vitin 2022 për të pasur akses më të mirë në blerjet shtetërore jashtë shtetit. Kina, nga ana tjetër, akuzon Evropën për proteksionizëm.

Pas një viti negociatash, komisioni, që menaxhon politikën tregtare në emër të 27 shteteve anëtare, tha se nuk kishte arritur të bënte ndonjë përparim me Kinën. "Masa synon të nxisë Kinën që të ndërpresë diskriminimin e saj ndaj firmave të BE-së dhe pajisjeve mjekësore të prodhuara në bllok, si dhe t'i trajtojë kompanitë evropiane me të njëjtën qasje si BE me firmat dhe produktet kineze", njoftoi Brukseli.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat