Europa Postuar më 21 Gusht 2025, 10:46

Pasiguria tregtare “mbulon” Evropën - Kreu i BQE paralajmëron ngadalësim ekonomik, pavarësisht paktit me SHBA

Nga Kristi Ceta

Pasiguria tregtare “mbulon” Evropën - Kreu i BQE

Ekonomia e eurozonës ka gjasa të përjetojë një rritje më të ngadaltë këtë tremujor, ndërsa pasiguritë mbi tregtinë globale mbeten të pranishme, tha presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.

Lagarde deklaroi se tarifa 15% që zbatohet aktualisht për shumicën e mallrave evropiane është pak më e lartë se ajo që kishte parashikuar BQE në qershor, por “dukshëm më e ulët” se një skenar negativ që kishte qenë gjithashtu në shqyrtim.

“Marrëveshjet e fundit tregtare e kanë zbutur, por sigurisht jo eliminuar, pasigurinë globale, që vazhdon për shkak të një mjedisi politik të paparashikueshëm,” tha ajo. Sipas Lagarde, pasiguria vazhdon pasi “tarifat e veçanta për barnat dhe gjysmëpërçuesit mbeten të paqarta.”

Këto janë komentet e para të Lagarde që prej arritjes së marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe presidentit amerikan Donald Trump. Zyrtarët e BQE-së pritet të lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2% kur të mblidhen sërish në muajin shtator.

Shumica e përfaqësuesve e konsiderojnë këtë nivel të interesit si të përshtatshëm, as stimulues dhe as frenues për aktivitetin ekonomik. Disa të tjerë, megjithatë, kanë sugjeruar që nuk duhet përjashtuar mundësia e uljeve të mëtejshme.

“Stafi i BQE-së do të marrë parasysh ndikimin e marrëveshjes tregtare BE-SHBA në ekonominë e eurozonës në parashikimet e shtatorit, të cilat do të udhëzojnë vendimet tona në muajt në vijim,” shtoi Lagarde.

Ekonomia e eurozonës, që përfshin 20 shtete, papritur u rrit me 0.1% në tremujorin e dytë, duke treguar qëndrueshmëri përballë sfidave tregtare dhe gjeopolitike. Inflacioni vazhdon të qëndrojë rreth objektivit 2% të BQE-së.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat