Europa Postuar më 14 Korrik 2025, 11:19

Objektivat për ndryshimet klimatike - BE synon një marrëveshje deri në shtator

Nga Dorian Koça

Objektivat për ndryshimet klimatike - BE synon një marrëveshje

Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë mbështetur planet për një marrëveshje mbi objektivin e tyre të ri për ndryshimet klimatike deri në shtator. Vendet e BE-së po negociojnë objektivin e tyre të ri për ndryshimet klimatike deri në vitin 2040, të cilin Komisioni javën e kaluar e propozoi me një ulje prej 90% të emetimeve nga nivelet e vitit 1990, megjithëse vendeve do t'u lejohet të blejnë kredite ndërkombëtare karboni për të përmbushur një pjesë të kufizuar të objektivit.

Danimarka, e cila mori presidencën e radhës të BE-së këtë muaj dhe po kryeson negociatat mes vendeve, synon të arrijë një marrëveshje në një samit ministrash në shtator, tha ministria e energjisë dhe klimës e Danimarkës në një deklaratë.

Në takim, shumica e 27 vendeve anëtare të BE-së mbështetën planin për të arritur një marrëveshje mbi objektivin e klimës për vitin 2040 në shtator, thanë tre burime të njohura me bisedimet.

Por një numër i vogël vendesh, përfshirë Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke, kundërshtuan një marrëveshje të përshpejtuar, ndërsa të tjerë kërkuan ndryshime në propozimin e Komisionit, thanë burimet.

Ndryshimi i klimës e ka bërë Evropën kontinentin me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke nxitur valë të nxehti dhe zjarre vdekjeprurëse. Por objektivi i vitit 2040 ka nxitur tensione politike, në një kohë kur Evropa po rrit ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes dhe po përpiqet të mbështesë industritë lokale në vështirësi.

Në përpjekje për të fituar mbështetjen e qeverive skeptike, Komisioni propozoi fleksibilitete që do të zbusnin objektivin e emetimeve prej 90% për kompanitë.

Në takimin e fundit vendet anëtarë ngritën shqetësime mbi çështje që përfshijnë mungesën e qartësisë se si do të funksiononin këto fleksibilitete. BE-ja përballet me një afat deri në mesin e shtatorit për të paraqitur në OKB një objektiv të ri klimatik për vitin 2035, të cilin Komisioni ka thënë se duhet të rrjedhë nga objektivi i vitit 2040.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat