Europa Postuar më 30 Korrik 2026, 09:55

Niveli i ulët i lumenjve frenon ekonominë/ Ekonomia e Gjermanisë pritet të bjerë me 0,2% në tremujorin e tretë

Nga Dorian Koça

Niveli i ulët i lumenjve frenon ekonominë/ Ekonomia e Gjermanisë

Lumenjtë në Gjermani po vuajnë nga mungesa e reshjeve. Nivele historikisht të ulëta të ujit po pengojnë lundrimin në Rin dhe Danub duke ndikuar edhe ndaj ekonomisë. Prej kohësh lumenjtë Rin dhe Danub nuk kanë pasur kaq pak ujë. Në disa vende janë matur nivele historikisht të ulëta të ujit dhe shkaku janë temperaturat e larta në shumë zona dhe thatësira e vazhdueshme. Moti i thatë i zgjatur ka shkaktuar uljen e nivelit të ujit në rrugën ujore më të ngarkuar të transportit të brendshëm në Evropë, e cila lidh portin e madh të Roterdamit në Holandë me pjesën më të madhe të Gjermanisë Perëndimore.

Nivelet vazhdimisht të ulëta të ujit në lumin Rin, të cilat vështirësojnë lundrimin e anijeve të transportit dhe të pasagjerëve, mund të çojnë në uljen e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Gjermanisë gjatë tremujorit të tretë deri në 0,2%, bëri të ditur Instituti të Kiel-it për Ekonominë Botërore.

Shërbimi kombëtar meteorologjik tani parashikon një periudhë të re temperaturash të larta, veçanërisht në zonat jugore të Gjermanisë.

Përmes lumit Rin transportohen mallra të rëndësishme si drithëra, minerale, xeherorë, qymyr dhe produkte nafte si dhe benzinë. Kur niveli i ujit bie shumë, anijet e transportit nuk mund të lundrojnë të ngarkuara plotësisht dhe detyrohen ta shpërndajnë ngarkesën në disa anije.

Tregtarët kanë bërë të ditur se disa anije që lëvizin në rrugët e brendshme ujore po operojnë me vetëm 15% deri në 20% të kapacitetit të tyre maksimal të ngarkesës. Kjo rrit kostot e transportit dhe ushtron presion shtesë mbi ekonominë, e cila së fundmi kishte filluar të tregonte shenja të një rimëkëmbjeje modeste.

Enti gjerman i Rrugëve Ujore pret që niveli i lumit Rin të bjerë deri të premten në rreth 25 centimetra, duke përsëritur rekordin më të ulët të shënuar në tetor të vitit 2018. “Meqenëse nivelet e ujit nuk mund të ngrihen papritur mbi pragun kritik në fillim të gushtit, kapaciteti i transportit pritet të mbetet i kufizuar edhe për një periudhë gjatë muajit të ardhshëm", thonë ekspertët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat