Europa Postuar më 12 Dhjetor 2025, 09:45

Ministri grek, në krye të Eurogrupit - “Një etapë e rëndësishme për Greqinë pas viteve të krizës”

Nga Kristi Ceta

Ministri grek, në krye të Eurogrupit - “Një etapë e

Ministri i financave i Greqisë u emërua në krye të Eurogrupit, organit që ndihmon në formësimin e politikave të eurozonës. Kjo nënvizon kthesën e vendit pas viteve të krizës, kur ishte pranë daljes nga monedha e përbashkët. Kiriakos Pierrakakis la pas kandidaten rivale belge për t’u bërë president i asamblesë së ministrave të financave, në krye të 20 vendeve që përdorin euron.

Greqia u shpëtua financiarisht tre herë mes viteve 2010 dhe 2015 nga qeveritë e eurozonës për të shmangur kolapsin ekonomik, pas viteve të huamarrjes së tepërt dhe shpenzimeve të mëdha.

Vendi tani ka rritje të qëndrueshme ekonomike mbi 2%, normat më të larta të investimeve në eurozonë, suficit buxhetor dhe borxh publik që, megjithëse ende më i larti në Evropë, është tkurrur me ritme të shpejta prej vitesh.

“Ky votim është një moment i rëndësishëm simbolik për Greqinë dhe eurozonën. Të gjithë e kujtojmë krizën e thellë financiare që Greqia përjetoi dhe madje u vu në dyshim edhe anëtarësimi i saj i vazhdueshëm në eurozonë,” tha në një konferencë shtypi Komisioneri Evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis.

“Tani shohim një kthesë të jashtëzakonshme, me Greqinë mes ekonomive më të suksesshme të eurozonës, me suficit fiskal dhe tani me një ministër grek financash në krye të Eurogrupit,” shtoi ai.

Eurogrupi mbledh ministrat e financave të 20 vendeve që ndajnë monedhën e përbashkët të BE-së dhe takohen një herë në muaj përpara bisedimeve më të gjera formale të 27 ministrave të financave të bllokut.

Kiriakos Pierrakakis u bë ministër i financave i Greqisë më herët këtë vit. Në rolin e tij të mëparshëm si ministër i qeverisjes digjitale në qeverinë e Kiriakos Mitsotakis gjatë viteve 2019–2023, ai udhëhoqi procesin e digjitalizimit teksa vendi dilte nga kriza e borxhit 2009–2018.

Pierrakakis do të marrë detyrën më 12 dhjetor dhe do të shërbejë për një mandat dy vjet e gjysmë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat