Europa Postuar më 21 August 2026, 10:22

Mbyllja më e fortë e bizneseve në gati 20 vjet - Sipërmarrjet gjermane përballen me vështirësi

Nga Dorian Koça

Mbyllja më e fortë e bizneseve në gati 20 vjet -

187.744 sipërmarrje në Gjermani ndërprenë gjatë vitit të kaluar aktivitetin e tyre, duke shënuar numrin më të lartë të mbylljeve në pothuajse 20 vjet. Krahasuar me vitin pararendës, ky numër u rrit me gati 10%. Këto janë të dhënat e analizës së përbashkët vjetore të agjencisë së informacionit ekonomik Creditreform dhe Qendrës Leibniz për Kërkime Ekonomike Evropiane (ZEW) në Mannheim.

Sipas analizës, dinamika e krizës po përhapet tashmë në të gjitha fushat, përfshirë edhe gastronominë apo sektorin e shëndetësisë. Dhe ndryshe nga vitet e mëparshme tani po e ndërpresin aktivitetin e tyre edhe kompani që, në fakt, janë ekonomikisht të shëndosha dhe të qëndrueshme.

Në analizë thuhet se rritja më e fortë e numrit të mbylljeve të bizneseve u regjistrua në sektorin e gastronomisë dhe hotelerisë. Në vitin 2025 mbyllën aktivitetin e tyre rreth 15.000 restorante, kafene dhe sipërmarrje akomoduese, që përbën 15% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Që nga 1 janari 2026 në gastronominë gjermane zbatohet një normë e reduktuar TVSH-je prej 7% për ushqimet. Por "ulja e TVSH-së për të mbështetur sektorin në krahasim me degët e tjera, duket se nuk ka arritur ta zbusë gjendjen e vështirë në këtë sektor”, thuhet në analizë.

Në sektorin e shëndetësisë vazhdoi prirja negative që po vërehet prej rreth dhjetë vitesh: numri i mbylljeve të sipërmarrjeve në këtë fushë, arriti në rreth 11.000 raste, dhe është tashmë rreth dy herë më i lartë se në vitin 2008.

Vetëm gjatë vitit të kaluar mbyllën aktivitetin e tyre afërsisht 5.500 klinika mjekësore,  pra rreth 23% më shumë krahasuar me vitin 2024. Shpesh arsyeja është se mjekët dalin në pension dhe nuk arrijnë të gjejnë dikë që të marrë përsipër dhe të vazhdojë drejtimin e klinikës së tyre.

Në sektorin industrial ndërprenë aktivitetin e tyre rreth 11.000 ndërmarrje, që do të thotë 10% më shumë mbyllje krahasuar me një vit më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat