Europa Postuar më 11 Gusht 2025, 10:08

“Mbushen” fuçitë e verës në Francë - Prodhimi rikthehet në rritje pas një viti të vështirë

Nga Kristi Ceta

“Mbushen” fuçitë e verës në Francë -

Prodhimi i verës në Francë pritet të rikthehet me rritje prej të paktën 10% këtë vit, pas një niveli të ulët në vitin 2024 për shkak të kushteve të pafavorshme të motit. Megjithatë, rikuperimi do të kufizohet nga humbja e disa vreshtave në jugperëndim të Francës, si pjesë e një programi të ristrukturimit të industrisë.

Franca, që konkurron me Italinë dhe Spanjën për pozicionin e prodhuesit më të madh të verës në botë, pritet të prodhojë mes 40 deri 42.5 milionë hektolitra këtë vit, që përfaqëson një rritje prej 10%-17% krahasuar me vitin 2024, tha ministria në parashikimin fillestar për 2025.

Shkalla e parashikuar e prodhimit është pak më poshtë se mesatarja prej 42.9 milion hektolitrash e pesë viteve të fundit. Një hektolitër është ekuivalent me rreth 133 shishe standarde vere.

“Në vitin 2025, kushtet e motit kanë qenë më të favorshme. Fillimi i thatë dhe i nxehtë i verës ndihmoi në uljen e presionit të sëmundjeve,” tha ministria në një raport, duke shtuar se vjelja e rrushit mund të fillojë më herët se zakonisht në shumë rajone.

Vitin e kaluar, shirat e stuhishëm dëmtuan vreshtat si edhe tokat e tjera bujqësore, ndërsa kushtet e lagështa favorizuan përhapjen e sëmundjeve. Rritja në prodhim e këtij viti mund të jetë veçanërisht e fortë në rajonet Bourgogne, Champagne, Luginën e Luarës dhe Charentes. Por në zonat jugperëndimore, rikuperimi do të jetë i kufizuar nga humbja e disa vreshtave, me mbi 20,000 hektarë të hequr që nga viti 2024.

Qeveria ka subvencionuar heqjen e vreshtave për të përballuar tepricën e prodhimit përballë rënies së konsumit të verës. Kjo qasje është kritikuar nga disa prodhues, për shkak se i bën zonat jugore më të ndjeshme ndaj zjarreve, siç ndodhi me flakët e mëdha në rajonin Aude këtë javë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat