Europa Postuar më 17 Shtator 2025, 11:12

Makinat elektrike, Evropa “nxit” zgjerimin e rrjetit/ Cilat shtete ofrojnë subvencionet më të mëdha për blerjen e tyre?

Nga Kristi Ceta

Makinat elektrike, Evropa “nxit” zgjerimin e rrjetit/ Cilat shtete

Pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian ofrojnë disa mënyra përkrahjeje për blerjen e automjeteve elektrike. Megjithatë, ekzistojnë dallime të mëdha mes tyre në nivelin dhe formën e ndihmës financiare.

Italia, Polonia dhe Greqia janë ndër vendet që ofrojnë mbështetjen më të madhe financiare për qytetarët që blejnë vetura elektrike në vitin 2025. Skemat e reja të subvencioneve synojnë të përshpejtojnë kalimin drejt automjeteve me emetime zero, në përpjekje për të përmbushur objektivat klimatikë të Bashkimit Evropian. Deri në vitin 2030, flotat e automjeteve të reja duhet të reduktojnë emetimet e CO₂ me 55%.

Italia ka njoftuar fillimin e një skeme të re subvencionimi që nis nga mesi i tetorit 2025. Vendi ofron deri në 11,000 euro për individët, duke mbuluar deri në 30% të çmimit të një makine të re elektrike. Kjo shumë varet nga të ardhurat e blerësit dhe zbatohet vetëm për automjete me çmim deri në 42,700 euro. Italia ka një përqindje të ulët të shitjes së veturave të gjelbra, me vetëm 5.2% të tregut mes janarit dhe korrikut 2025, krahasuar me mesataren e BE-së prej rreth 15%.

Greqia dhe Polonia ofrojnë rreth 9,000 euro për individët që blejnë makina elektrike. Në Greqi, kjo shumë mund të shtohet edhe me 2,000 euro nëse dorëzohet një automjet i vjetër ndotës dhe me 1,000 euro nëse blerësi është më i ri se 29 vjeç. Gjithashtu, veturat plotësisht elektrike me bateri përjashtohen nga taksa e regjistrimit dhe ato me emetime të ulëta janë të përjashtuara nga taksa e qarkullimit. Nga janari deri në korrik, pjesa e tregut për këto lloj automjetesh në Greqi ishte 5.3%.

Ndërkohë, vendet nordike si Norvegjia dhe Danimarka, edhe pse nuk ofrojnë subvencione të drejtpërdrejta për blerje, kanë tregjet më të mëdha të automjeteve elektrike. Në Norvegji, këto makina përjashtohen nga TVSH-ja, tarifat e importit dhe taksat e regjistrimit. Ato gjithashtu përfitojnë nga taksa vjetore më e ulët, si dhe ulje në pagesat e autostradave dhe trageteve. Ndërsa në Danimarkë, personat që kanë vetura me emetime zero paguajnë vetëm 40% të taksës së regjistrimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat