Europa Postuar më 12 Qershor 2025, 12:14

Maji 2025, i dyti më i nxehtë në histori - Evropa Veriperëndimore përjetoi pranverën më të thatë në dekada

Nga Kristi Ceta

Maji 2025, i dyti më i nxehtë në histori - Evropa

Muaji i kaluar ishte maji i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë, kanë zbuluar shkencëtarët evropianë. Kjo të krijon ndjesinë e një déjà vu? Mbase sepse është e tillë.

Të njëjtët shkencëtarë zbuluan se ky prill ishte gjithashtu i dyti më i ngrohtë globalisht, që kur kanë nisur regjistrimet. Ai pasoi marsin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë.

Maji i 2025 ishte 1.4 gradë Celsius mbi nivelet mesatare paraindustriale, sipas përditësimit mujor të agjencisë së monitorimit të klimës Copernicus.

Lajmi i mirë është se kjo "thyen një sekuencë të gjatë muajsh me temperatura mbi 1.5C në raport me periudhën paraindustriale", theksoi një nga shkencëtarët. Por, sipas tij, "ndërsa kjo mund të ofrojë një pushim të shkurtër për planetin, pritet që pragu prej 1.5C të tejkalohet përsëri në të ardhmen e afërt, për shkak të ngrohjes së vazhdueshme të sistemit klimatik".

Organizata deklaroi gjithashtu se Evropa Veriperëndimore kaloi një "pranverë jashtëzakonisht të thatë". Raporti theksoi se pjesë të rajonit shënuan "nivelet më të ulëta të reshjeve dhe lagështisë së tokës që nga viti 1979". Ky fenomen çoi në "rrjedhjen më të ulët të lumenjve pranverorë në të gjithë Evropën që nga fillimi i regjistrimeve në 1992".

Rritja e temperaturave globale është kryesisht rezultat i djegies së vazhdueshme të lëndëve fosile si qymyri, nafta dhe gazi natyror. Por sipas marrëveshjes së klimës së Parisit të miratuar në vitin 2015, vendet u zotuan të kufizojnë ngrohjen globale nën 2C dhe idealisht nën 1.5C, krahasuar me nivelet paraindustriale.

Vetë Bashkimi Evropian gjithashtu ra dakord të ulë emetimet e gazeve serrë sipas Marrëveshjes së Gjelbër dhe të arrijë neutralitetin klimatik deri në mesin e shekullit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat