Europa Postuar më 10 Shtator 2025, 10:31

Kryeministri i ri francez përballet me protesta masive - Lecornu merr detyrën mes thirrjeve për bllokimin e rrugëve, aeroporteve

Nga Kristi Ceta

Kryeministri i ri francez përballet me protesta masive - Lecornu merr

Kryeministri i ri i Francës, Sébastien Lecornu, po përballet me një krizë të menjëhershme politike dhe shoqërore, pasi protesta të mëdha janë paralajmëruar në të gjithë vendin që në ditën e tij të parë në detyrë. Lëvizja “Blloko Gjithçka”, që po përhapet në rrjetet sociale, ka paralajmëruar bllokada në autostrada, stacione trenash, aeroporte dhe rafineri, në shenjë kundërshtimi ndaj masave të reja buxhetore.

Autoritetet franceze janë në gatishmëri të lartë. Policia e Parisit deklaroi se do të ketë një mobilizim “të jashtëzakonshëm” prej rreth 80,000 forcash sigurie në të gjithë vendin ditën e mërkurë.

Fushata nisi të marrë vrull pasi kryeministri në largim, François Bayrou, shpalli në korrik një plan për të shkurtuar buxhetin francez të vitit 2026 me 43.8 miliardë euro. Planet e tij për shtrëngime buxhetore u hodhën poshtë nga ligjvënësit, duke çuar në rrëzimin e qeverisë. Bayrou, një qendrist me përvojë të gjatë, argumentoi se masat ishin të nevojshme për të frenuar shpenzimet publike të tepërta. Presidenti Emmanuel Macron reagoi menjëherë duke emëruar Lecornu, për të mbushur boshllëkun e pushtetit në një kohë tensioni të lartë.

Sébastien Lecornu, ish-ministër i forcave të armatosura dhe një nga aleatët më të ngushtë të Macron që prej ardhjes në pushtet, do të testohet menjëherë si në aspektin e autoritetit, ashtu edhe të popullaritetit. Ai është njohur si një figurë diskrete, por efikase, veçanërisht për rolin e tij në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Francës pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Përveç menaxhimit të protestave të së mërkurës, Lecornu duhet gjithashtu të rifillojë bisedimet për buxhetin në një parlament të paralizuar dhe pa shumicë. Ndërkohë, sindikatat franceze kanë paralajmëruar greva dhe protesta të tjera edhe më të gjera për javën e ardhshme. Qeveria franceze po heton gjithashtu nëse faktorë të huaj po përpiqen të nxisin më tej këtë lëvizje.

Sondazhet tregojnë se 46% e qytetarëve francezë mbështesin protestat, sipas një ankete të fundit nga Ipsos. Burime nga policia e Parisit thanë se mungesa e një strukture apo udhëheqjeje të qartë në këtë lëvizje e bën atë veçanërisht të paparashikueshme. “Nuk është një protestë e zakonshme. Nuk ka organizatorë, nuk kemi me kë të flasim, janë vetëm thirrje për të bllokuar gjithçka. Dhe më shqetësuese është që këto thirrje po përhapen nga grupe ekstremiste të majta që nxisin akte të dhunshme,” u shprehën ata. Autoritetet kanë frikë se ajo që do të ndodhë këto ditë mund të ndezë edhe më shumë protestat e javës së ardhshme, të paralajmëruara nga sindikatat franceze.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat