Europa Postuar më 24 Nëntor 2025, 10:45

Kroacia “sfidon” inflacionin - Vendos çmime “tavan” për 30 produkte bazë

Nga Kristi Ceta

Kroacia “sfidon” inflacionin - Vendos çmime

Qeveria e Kroacisë ka vendosur të shtojë 30 artikuj të tjerë në listën e 70 produkteve bazë me çmime të kufizuara, në një përpjekje për të lehtësuar presionin inflacionist mbi qytetarët.

“Duam të ndihmojmë personat më të cenueshëm, duke lehtësuar kostot e shportës së konsumit dhe, natyrisht, të veprojmë kundër presionit inflacionist,” tha kryeministri Andrej Plenkovic në një mbledhje javore të kabinetit.

Produktet që u shtuan në listë përfshijnë bukën, biskotat, mjaltin, çajin, sallamin, majonezën, misrin e konservuar dhe letrat e kuzhinës, ndër të tjera. Duke filluar nga 1 dhjetori, rrjetet e shitjes me pakicë do të duhet të ofrojnë të paktën një produkt nga secila kategori me çmime të vendosura nga qeveria.

Në shtator 2022, qeveria vendosi të kufizojë çmimet e disa produkteve bazë si vaji i gatimit, qumështi, mielli, sheqeri dhe mishi i pulës, si pjesë e masave për të lehtësuar ndikimin e krizës energjetike dhe pandemisë Covid mbi konsumatorët. Në janar të këtij viti, kabineti shtoi 40 artikuj të tjerë në listën ekzistuese prej 30 produktesh bazë, pas një bojkoti kombëtar të dyqaneve.

Sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në BE, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për konsum personal në Kroaci u rritën me 4.0% në vit në tetor, pas një zgjerimi prej 4.6% në shtator.

Komisioni Evropian rriti parashikimet për normën e inflacionit në shtetin e Adriatikut në 4.3% për këtë vit, nga 3.4% që kishte projektuar më parë, dhe në 2.8% për vitin e ardhshëm. Në 2024, inflacioni mesatar vjetor në Kroaci u reduktua në 3.0%, nga 8.0% në 2023. Çmimet e harmonizuara me BE-në u zgjeruan mesatarisht me 4.0% vitin e kaluar, në raport me 8.4% në 2023.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat