Europa Postuar më 27 Tetor 2025, 09:23

Kroacia rikthen shërbimin ushtarak të detyrueshëm - Miratohet ligji. Shërbimi përfshin një trajnim dymujor për të rinjtë

Nga Kristi Ceta

Kroacia rikthen shërbimin ushtarak të detyrueshëm - Miratohet

Parlamenti i Kroacisë votoi rivendosjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, ndërsa tensionet janë shtuar në Evropë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ligjvënësit miratuan ndryshimet ligjore me 84 vota pro, 11 kundër dhe 30 abstenime në parlamentin me 151 anëtarë. Shërbimi do të zgjasë dy muaj dhe do të ofrojë “trajnim themelor ushtarak,” njoftoi televizioni publik HRT.

Ky vendim shënon rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, i cili ishte pezulluar në vitin 2008 kur vendi kaloi në një sistem vullnetar. Ministria e Mbrojtjes tha se qëllimi është të mësohen të rinjtë me aftësitë dhe njohuritë themelore që janë “të nevojshme në situata krize, në mënyrë që të kontribuojnë në sigurinë kombëtare.”

Autoritetet do të fillojnë të thërrasin rekrutët e lindur në vitin 2007 për kontrolle mjekësore deri në fund të vitit. Personat e rekrutuar do të marrin një pagë, dhe ata që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye ndërgjegjeje mund të zgjedhin shërbimin civil në vend të tij.

Kroacia po vazhdon të shtojë forcat e armatosura në një kohë kur shumë vende evropiane aktualisht po diskutojnë ose po reformojnë politikat e tyre të shërbimit ushtarak.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, debati mbi shërbimin e detyrueshëm është rikthyer në kontinent, me shumë vende që po shqyrtojnë nëse rekrutimi mund të forcojë sigurinë e tyre kombëtare.

Në vitin 2015, Lituania e rivendosi pjesërisht shërbimin e detyrueshëm dhe Norvegjia u bë vendi i parë evropian që vendosi shërbimin ushtarak të detyrueshëm për gratë. Dy vjet më vonë, Suedia riaktivizoi thirrjen në ushtri. Ndërsa Franca filloi të testojë Shërbimin Kombëtar Universal në vitin 2019.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat