Europa Postuar më 16 Dhjetor 2025, 10:35

Kriza e kredive për banesa - Nga çfarë po heqin dorë evropianët për të përballuar kostot?

Nga Kristi Ceta

Kriza e kredive për banesa - Nga çfarë po heqin dorë

Rritja e fortë e kostove të banesave po kthehet shpejt në “Grinçin” e Evropës, duke zbehur dëshirën e njerëzve për të bërë plane me rastin e Krishtlindjes. Rreth 75% e evropianëve thonë se janë detyruar të shkurtojnë shpenzimet vetëm për të përballuar pagesat e kredive hipotekore gjatë 12 muajve të fundit, sipas një sondazhi me mbi 20,000 persona në 23 shtete.

Irlanda dhe Hungaria po e ndiejnë më shumë këtë presion, pasi plot 90% e blerësve të banesave raportojnë se kanë “shtrënguar rripin”. Rumunët dhe maltezët janë në një situatë edhe më të vështirë, me 93% që thonë se janë detyruar të ulin shpenzimet, ndërsa Italia kryeson 5 ekonomitë më të mëdha të Evropës me një normë prej 86%.

Për më shumë se një në katër persona të anketuar nga RE/MAX Europe (26%), kufizimet financiare janë aq të forta sa ulin motivimin për të organizuar festë për Krishtlindje. Finlandezët, një nga pak popullsitë ku normat e varfërisë janë rritur që nga viti 2015, janë më hezituesit për të organizuar evente, me 40% që zgjedhin festa të thjeshta. Në mënyrë të ngjashme, të paktën një në tre rumunë (35%) dhe hungarezë (33%) preferojnë ta kalojnë Krishtlindjen në shtëpitë e tyre.

Por barra financiare e takimeve festive prek edhe të ftuarit, të cilët kalojnë mesatarisht 2.3 orë rrugë për të festuar me të afërmit e tyre. Banorët e Turqisë bëjnë udhëtimet më të gjata, mesatarisht 4.5 orë. Ndërkohë, holandezët gëzojnë udhëtime më të shkurtra prej vetëm 1.3 orësh, dhe 40% e të anketuarve në përgjithësi përballen me udhëtime nën një orë.

Takimet romantike, klubet nate dhe festivalet janë viktimat e para të krizës së kostos së jetesës, me 41% të evropianëve që heqin dorë nga këto evente për të përballuar pagesat e hipotekës. Shkurtimet janë më të thella në Greqi, ku pothuajse gjashtë në dhjetë persona (58%) kanë ulur buxhetin për jetën e natës, ndërsa shumica e lituanezëve e shohin këtë si të papranueshme (21%). Ushqimet luksoze dhe alkooli renditen në vendin e dytë të shkurtimeve, me 38% të të anketuarve që thonë se po ulin këto shpenzime, me një kulm prej 61% në Maltë.

Pushimet renditen të tretat (37%), me mbi gjysmën e polakëve (52%) dhe irlandezëve (51%) që planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi. Por kjo nuk është një mundësi për lituanezët, ku vetëm një në dhjetë persona anulon planet e pushimeve për shkak të pagesave të hipotekës. Gjithashtu, 13% pranojnë se po kursejnë edhe në nevojat bazë të përditshme, duke përfshirë produktet e higjienës personale, me Gjermaninë dhe Finlandën shumë mbi mesataren, secila me nga 22%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat