Europa Postuar më 7 Shkurt 2025, 12:47

Kapaciteti i ruajtjes së energjisë do të 5-fishohet në 2030 - Pavarësisht rritjes, Evropa nuk përmbush dot objektivat e deklaruar

Nga Kristi Ceta

Kapaciteti i ruajtjes së energjisë do të 5-fishohet në 2030

Kapaciteti i ruajtjes së baterive në Evropë pritet të rritet rreth pesëfish deri në vitin 2030, duke sjellë me vete përfitime në rritje për kompanitë kryesore të energjisë, zhvilluesit e projekteve dhe tregtarët. Gjithashtu, kostoja e projekteve të reja pritet të bjerë.

Përdorimi i erës dhe diellit është rritur dhe përbën rreth një të tretën e prodhimit energjetik të Evropës, por për shkak se këto burime të rinovueshme nuk janë konstante, ato kanë nxitur kërkesën për bateri që sigurojnë rezerva.

Në të njëjtën kohë, teknologjia e baterive ka bërë përparime, duke lejuar paketat më të vogla të baterive të ruajnë sasi më të mëdha të energjisë e si rrjedhojë duke ulur kostot.

Megjithatë, edhe rritja e pritshme e kapacitetit nuk ka gjasa të përmbushë kërkesën për të balancuar rrjetet kombëtare të energjisë, sipas vlerësimeve të industrisë.

Parashikimi i Aurora Energy Research tregon një rritje në mbi 50 gigavat (GW) deri në vitin 2030, duke përfaqësuar investime me vlerë rreth 80 miliardë euro. Kjo nuk do të ishte e mjaftueshme sipas Shoqatës Evropiane për Ruajtjen e Energjisë, e cila vlerëson se 200 GW do të nevojiten deri në vitin 2030.

Një rekord prej 3.7 GW projektesh u shtuan në vitin 2024, duke e çuar kapacitetin total të baterisë në Evropë në 10.8 GW, sipas të dhënave nga Aurora Energy Research.

Në kontinentin e vjetër, energjia e rinovueshme ka lënë shumë investitorë të pakënaqur. Çështjet teknike, problemet e zinxhirit të furnizimit, kostot në rritje dhe betejat e planifikimit kanë reduktuar fitimet e prodhuesve të turbinave me erë.

Por ruajtja e baterisë ofron mënyra të shumta për të fituar para. Një mënyrë është që operatorët e projektit të sigurojnë kontrata ndihmëse nga operatorët e rrjetit, të cilët i paguajnë ata për të ndihmuar në balancimin e sistemit. Kontratat e tregut të kapaciteteve, për shembull, paguajnë gjeneratorët ose pronarët e baterive që të jenë të disponueshëm kur kërkesa për energji është e lartë.



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat