Europa Postuar më 30 Korrik 2025, 09:26

Kamchatka dhe Unaza e Zjarrit/ Një kujtesë për fuqinë dhe paparashikueshmërinë e Tokës

Nga Dorian Koça

Kamchatka dhe Unaza e Zjarrit/ Një kujtesë për fuqinë dhe

Tërmeti me magnitudë 8.8 ballë që goditi Kamçatkën e Rusisë, e ka përqendruar edhe një herë vëmendjen në një nga rajonet më të rrezikshme dhe gjeologjikisht të paqëndrueshme në planet, Unazën e Zjarrit të Paqësorit. Dridhjet dhe cunamet pasuese janë manifestime të aktivitetit të vazhdueshëm gjeologjik që prek një pjesë të madhe të Oqeanit Paqësor. Por çfarë dimë në të vërtetë për Unazën e Zjarrit? Dhe pse është Kamçatka një nga zonat me aktivitetin më të madh sizmik dhe vullkanik në botë?

Unaza e Zjarrit e Paqësorit është një zonë gjeologjike me gjatësi mbi 40,000 kilometra që rrethon Oqeanin Paqësor. Karakterizohet nga aktivitet intensiv sizmik dhe vullkanik, për shkak të pranisë së shumë pllakave tektonike që janë në lëvizje të vazhdueshme. Pllakat kryesore tektonike që lidhen me tërmetin janë Paqësori, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut, Filipinet dhe ishujt Indo-Australiane. Fenomeni gjeologjik dominues është subduksioni, lëvizja e një pllake nën një tjetër, e cila shkakton tërmete në shkallë të gjerë dhe potencialisht shkatërruese.

Brezi shtrihet përgjatë brigjeve lindore të Azisë (Japoni, Filipine, Indonezi), Oqeanisë (Papua Guinea e Re, Zelanda e Re) dhe vazhdon përgjatë brigjeve perëndimore të Amerikës, nga Alaska në Kili. Është vlerësuar se afërsisht 90% e aktivitetit sizmik të botës dhe 75% e vullkaneve aktive të planetit ndodhen brenda këtij brezi.

Pse Kamchatka është një rajon sizmik?

Gadishulli Kamchatka shtrihet në një zonë subduksioni midis pllakave tektonike të Paqësorit dhe Okhotsk. Njëra pllakë rrëshqet nën tjetrën, duke krijuar presione të mëdha që lirohen në formën e tërmeteve të fuqishme. Rajoni është gjithashtu “shtëpia” e më shumë se 160 vullkaneve, 29 prej të cilëve janë aktivë, përfshirë Klyuchevskaya Sopka, një nga vullkanet më të mëdha në botë. Kombinimi i aktivitetit intensiv tektonik dhe aktivitetit vullkanik e bën Kamchatka një nga rajonet më të paqëndrueshme gjeologjikisht në Tokë.

Sipas shkencëtarëve, Unaza e Zjarrit do të vazhdojë të prodhojë tërmete të fuqishme dhe shpërthime vullkanike në të ardhmen. Monitorimi i vazhdueshëm, përdorimi i sensorëve të sofistikuar dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm janë thelbësore për të zvogëluar rreziqet për popullsinë. Ngjarja në Kamchatka është një tjetër kujtesë për fuqinë dhe natyrën e paparashikueshme të planetit tonë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat