Europa Postuar më 7 Shtator 2026, 10:42

“Jo zgjedhje të parakohshme” - Mitsotakis: Ulje taksash dhe rritje pagash

Nga Edel Strazimiri

“Jo zgjedhje të parakohshme” - Mitsotakis: Ulje taksash dhe

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke konfirmuar se zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohen në pranverën e vitit 2027.

Deklarata vjen një ditë pasi qeveria njoftoi një paketë prej 3.5 miliardë eurosh me ulje taksash dhe rritje pagash, në një përpjekje për të lehtësuar kostot e jetesës dhe për të rikthyer mbështetjen e humbur në sondazhe.

Partia e qendrës së djathtë e Mitsotakis fitoi zgjedhjet e vitit 2023 me 40.5% të votave dhe vijon të kryesojë sondazhet, por mbështetja e saj ka rënë nën 30% mes krizës së kostos së jetesës dhe akuzave për korrupsion.

Paketa e re, e barasvlershme me rreth 1.5% të PBB-së, parashikon një bonus vjetor prej 400 eurosh për pensionistët dhe 500 eurosh për punonjësit e sektorit publik.

Gjithashtu, familjet me tre fëmijë dhe fermerët me të ardhura vjetore deri në 20 mijë euro do të përfitojnë normë zero të tatimit mbi të ardhurat. Për të vetëpunësuarit dhe bizneset parashikohet ulje graduale e parapagimit të tatimit deri në 50%.

Qeveria synon gjithashtu të ulë papunësinë në 6% dhe borxhin publik nën 110% të PBB-së deri në vitin 2030.

Greqia, e cila kaloi një krizë të rëndë financiare pas vitit 2009, aktualisht renditet ndër ekonomitë me performancën më të mirë në Evropë.

Ekonomia po rritet me rreth 2% në vit, mbi mesataren e eurozonës, ndërsa qeveria pret një suficit primar prej rreth 4% këtë vit. Ky rezultat i jep Athinës hapësirë financiare për të zbatuar masat e reja.

Mitsotakis deklaroi se synon një mandat të tretë katërvjeçar dhe beson se partia e tij mund të sigurojë sërish shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat