Europa Postuar më 16 Tetor 2025, 09:17

Italia siguron rreth 5 miliardë euro nga bankat - Miratohet projektbuxheti për periudhën 2026-2028

Nga Kristi Ceta

Italia siguron rreth 5 miliardë euro nga bankat - Miratohet projektbuxheti

Italia do të sigurojë fonde nga bankat dhe kompanitë e sigurimeve për të ndihmuar në financimin e buxhetit për periudhën 2026-2028, njoftoi Ministria e Financave, pasi kabineti qeveritar miratoi paketën e projektbuxhetit.

Burime politike thanë se sektori financiar do të kontribuojë në arkat e shtetit me një shumë totale prej 4.5 deri në 5 miliardë euro, e shpërndarë gjatë disa viteve.

Projektbuxheti, që synon të ulë deficitin e Italisë në 2.8% të prodhimit kombëtar në vitin 2026, nga rreth 3% që pritet për këtë vit, do t’i dërgohet Komisionit Evropian për miratim.

Ministria e Financave tha se uljet e taksave dhe masa të tjera zgjeruese për tre vitet e ardhshme do të shkojnë rreth 18 miliardë euro në vit, të financuara përmes kufizimeve të shpenzimeve dhe rritjes së të ardhurave nga burime të ndryshme.

Gjithashtu, vetëm për vitin e ardhshëm janë parashikuar 2 miliardë euro, që do të kompensojnë punonjësit për humbjen e fuqisë blerëse, si pasojë e inflacionit gjatë viteve 2022-2023. Nuk u dhanë detaje mbi formën që do të marrë kjo masë.

Projektbuxheti përfshin gjithashtu një amnisti fiskale në shkallë të gjerë, e cila u lejon personave që nuk kanë paguar taksat deri në vitin 2023 të zgjidhin mosmarrëveshjet me administratën tatimore pa gjoba dhe pa interes. Amnisti të tilla tatimore janë bërë të zakonshme nën drejtimin e qeverisë së djathtë të Giorgia Meloni që kur ajo mori detyrën në vitin 2022.

Buxheti parashikon gjithashtu 4 miliardë euro lehtësime tatimore për të nxitur investimet e kompanive.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat