Europa Postuar më 9 Nëntor 2024, 15:10

Italia përfshin bizneset e vogla, të mesme në taksat digjitale - Lëvizja vjen pas ankesave të SHBA-së dhe shqetësimeve për “hakmarrje”

Nga Kristi Ceta

Italia përfshin bizneset e vogla, të mesme në taksat digjitale -

Italia ka zgjeruar taksat e brendshme për shërbimet digjitale, duke përfshirë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, tha Ministri i Ekonomisë Giancarlo Giorgetti. Kjo lëvizje vjen pas kundërshtimeve të SHBA-së se taksa e vendosur ishte diskriminuese.

Duke iu drejtuar ligjvënësve për buxhetin e qeverisë për vitin 2025, Giorgetti tha se vendet e tjera të Bashkimit Evropian priten të bëjnë të njëjtën gjë, për të shmangur një hakmarrje të mundshme.

Uashingtoni ka kërcënuar me tarifa mbi taksat e njëanshme digjitale në Evropë, pasi ato synojnë kryesisht kompanitë e teknologjisë amerikane si Meta Platforms, Google dhe Amazon.

Italia në vitin 2019 vendosi një taksë prej 3% mbi të ardhurat nga transaksionet e internetit për kompanitë digjitale me shitje vjetore prej të paktën 750 milionë eurosh, nëse të paktën 5.5 milionë bëhen në Itali.

Tani, si pjesë e buxhetit të qeverisë për vitin 2025, Thesari planifikon të heqë këto kushte minimale, duke synuar të mbledhë 51.6 milionë euro shtesë mbi të ardhurat aktuale prej 400 milionë.

Giorgetti tha se rritja e numrit të kompanive që duhej të paguanin taksën kishte si qëllim shmangien e përplasjeve me Uashingtonin. "Kjo eliminon elementin e 'diskriminimit' që qëndron në themel të ankesës së SHBA-së", tha Giorgetti. "Unë mendoj se të tjerët do të na imitojnë."

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si president i SHBA, Uashingtoni tha se ishte i përgatitur për të kundërshtuar taksën italiane. Tani që Trump ka fituar një mandat të dytë, tarifa e internetit ka të ngjarë të mbetet një çështje e ndjeshme për kryeministren Giorgia Meloni, tha një zyrtar i qeverisë italiane.

Por disa ligjvënës në koalicionin qeverisës të Italisë kundërshtojnë ndryshimet e propozuara të Thesarit, duke argumentuar se taksa duhet të vazhdojë të fokusohet në teknologjitë e mëdha amerikane.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat