Europa Postuar më 12 Dhjetor 2024, 15:27

Italia, me më shumë makina për frymë në BE - Nga 257 mln automjete në Bashkimin Evropian, 4,5 mln janë elektrike

Nga Kristi Ceta

Italia, me më shumë makina për frymë në BE - Nga 257

Në vitin 2023, numri i makinave të pasagjerëve të regjistruara në BE arriti në pothuajse 257 milionë, që korrespondon me një rritje prej 6.7% krahasuar me vitin 2018, sipas Eurostat. Numri më i madh i makinave të pasagjerëve të regjistruar është vërejtur në Gjermani me 49 milionë vetura, pasuar nga Italia (pothuajse 41 milionë) dhe Franca (më shumë se 39 milionë makina).

Italia është vendi që ka më shumë automjete për frymë në Bashkimin Evropian, me 694 makina pasagjerësh për 1 mijë banorë. Në vend të dytë renditet Luksemburgu me 675 makina për mijë banorë. Më poshtë gjejmë shtete si Qipro (665), Finlanda (664) dhe Estonia (630 makina për 1000 banorë). Kjo krahasohet me një mesatare të BE-së prej 571 automjetesh për çdo 1000 banorë.

Në anën tjetër, një shkallë veçanërisht e ulët e motorizimit është regjistruar në Letoni (418 makina për 1000 banorë), pavarësisht nga një rritje prej 10% në numrin e veturave të regjistruara gjatë periudhës 2018-2023.

Eurostat thotë se tranzicioni drejt makinave më pak ndotëse po ecën ngadalë. Në vitin 2023, Luksemburgu kishte numrin më të lartë të automjeteve 'më të reja', ndërsa Rumania kishte përqindjen më të lartë të makinave më të vjetra se 20 vjet, e ndjekur nga Finlanda dhe Estonia.

Pavarësisht një rritjeje gjatë viteve të fundit, makinat me lëndë djegëse alternative përbënin vetëm një pakicë të totalit në BE në vitin 2023, të renditura pas atyre me benzinë dhe naftë. Kjo shifër në shumicën e vendeve është ende nën 20%.

Megjithatë, në vitin 2023 numri i makinave elektrike në vendet e BE-së tejkaloi 4.4 milionë, rreth 89 herë më shumë se në 2013 dhe 12-fishi krahasuar me 2018. Normat më të larta të rritjes u vunë re midis 2019 dhe 2020 (85.2%) dhe midis 2020 dhe 2021 (77.5%). Numri i tyre në totalin e makinave të pasagjerëve u rrit nga 0.02% në 1.7%.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat