Europa Postuar më 30 Shtator 2025, 10:50

Itali, të ardhurat tatimore në rritje - Inflacioni, zgjerimi i punësimit nxisin fitimet dhe ulin deficitin buxhetor

Nga Kristi Ceta

Itali, të ardhurat tatimore në rritje - Inflacioni, zgjerimi i

Të ardhurat tatimore të Italisë po rriten më shpejt se sa ishte parashikuar, falë zgjerimit të punësimit dhe inflacionit. Kjo tendencë po e ul deficitin buxhetor drejt kufirit 3% të PBB-së të vendosur nga Bashkimi Evropian, një vit më herët nga sa ishte planifikuar.

Të ardhurat nga taksat u rritën me mbi 16 miliardë euro mes janarit dhe korrikut, 5% më shumë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke tejkaluar parashikimet e Thesarit Italian, që tregonin një zgjerim prej vetëm 0.8% për gjithë vitin. Qeveria kishte vlerësuar një deficit prej 3.3% të PBB-së në vitin 2025, por të ardhurat shtesë nga taksat nënkuptojnë se hendeku fiskal ka gjasa të jetë dukshëm më i ulët.

Kryeministrja Giorgia Meloni dhe aleatët e krahut të djathtë po marrin meritën për këto shifra pozitive, megjithatë ekonomistët theksojnë se ky përmirësim vjen kryesisht nga faktorë që nuk lidhen drejtpërdrejt me qeverinë, e cila mori detyrën në fund të vitit 2022. Analistët vlerësojnë se reformat kundër evazionit fiskal të ndërmarra gjatë viteve po japin rezultat, megjithëse një pjesë e madhe e “peshës” bie mbi efektin e inflacionit dhe rritjes së punësimit, me rreth 2 milionë vende të reja pune të krijuara në katër vitet e fundit, që kanë shtuar të ardhurat nga taksat.

Meloni shpesh përmend rritjen e punësimit si sukses të qeverisë së saj, por nuk e përmend “pengesën fiskale”, një fenomen i thjeshtë ekonomik ku inflacioni dhe rritja nominale e pagave shtojnë përqindjen e tatimit mbi të ardhurat, duke sjellë më shumë para në arkat e shtetit. Ekspertët vlerësojnë se falë këtij efekti, shteti ka mbledhur rreth 25 miliardë euro shtesë nga viti 2021 deri në 2024, ndërsa të ardhurat vazhdojnë të rriten edhe këtë vit.

Çmimet për konsumatorët në Itali janë rritur me 19% që nga viti 2020. Pagat gjithashtu janë rritur në termat nominalë, por më pak se inflacioni, duke i lënë qytetarët e zakonshëm në gjendje më të keqe ekonomike. Të ardhurat reale në Itali, duke llogaritur inflacionin, janë aktualisht nën nivelin e vitit 1990.

Në të kundërt, në Gjermani, qeveria rregullon çdo vit kufijtë e tatimit mbi të ardhurat për të kompensuar plotësisht efektin e inflacionit.

Përmirësimi i financave publike italiane është gjithashtu rezultat i rregullave të reja të prezantuara gradualisht që nga viti 2011, që kanë ngushtuar mundësitë për evazion fiskal. Qeveritë e njëpasnjëshme kanë nxitur pagesat digjitale të gjurmueshme dhe kanë forcuar kontrollet.

Shqipëria 30 Shtator Edel Strazimiri

Si është mbyllur ky muaj për valutat e huaja?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë muaj i paqëndrueshëm duke u luhatur vazhdimisht përgjatë kësaj kohe teksa është blerë mëngjesin e sotëm me 82.2 lekë dhe......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat