Europa Postuar më 19 Shkurt 2025, 10:18

Investitorët gjermanë, me moralin “lart” - Besimi ekonomik përmirësohet përpara zgjedhjeve

Nga Kristi Ceta

Investitorët gjermanë, me moralin “lart” - Besimi ekonomik

Morali i investitorëve gjermanë u përmirësua me ritmin më të shpejtë në dy vjet gjatë shkurtit, me pritshmëritë që ekonomia do të rritet nën drejtimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve të së dielës.

Shifra u përmirësua më shumë se sa pritej, sipas institutit të kërkimit ekonomik ZEW, duke raportuar një rritje të indeksit të besimit ekonomik në 26.0 pikë nga 10.3 pikë në janar.

Pas një periudhe ku pati mungesë të kërkesës, konsumi privat pritet të fitojë vrull në gjashtë muajt e ardhshëm. Rritja e qartë e pritshmërive ekonomike mbështet tendencat pozitive të javëve të fundit, si rritja e porosive të prodhimit dhe rënia e inflacionit.

Udhëheqësi konservator Friedrich Merz është i preferuari për t'u bërë kancelar i një qeverie koalicioni pas zgjedhjeve dhe investitorët shpresojnë se qeveria e re do të rrisë shpenzimet. Megjithatë, vëzhguesit e afërt të ekonomisë gjermane nuk presin që këto zgjedhje të sjellin ndryshime dramatike.

Dy institute të mëdha ekonomike parashikojnë një vit të tretë të tkurrjes në vitin 2025, periudha më e gjatë e dobësisë në historinë e pasluftës së Gjermanisë.

Raporti tregoi se edhe vlerësimi i situatës aktuale ekonomike është përmirësuar, ndonëse më modest dhe ende i dobët, duke u ngjitur në minus 88.5 pikë këtë muaj nga minus 90.4.

Ekonomia gjermane u tkurr në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke rikthyer frikën e recesionit. Nëse trendi do të vazhdonte në tremujorin e parë të 2025, dinamika ekonomike në Gjermani do të përmbushte përsëri përkufizimin e një recesioni.

Rezultatet, në një interval nga minus 100 në plus 100, bazohen në një anketë të rreth 350 analistëve financiarë me bazë në Gjermani. Instituti parashikon rritje të mëtejshme, duke pasur parasysh se lehtësimi i normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane do të vazhdojë.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat